Këngëtarja e re kosovare që po ndërton karrierën e saj në Britani të Madhe, Dua Lipa, ka publikuar albumin e saj të parë. Pritja ka marrë fund për adhuruesit e saj mbrëmjen e se enjtes, kur Lipa publikoi albumin e titulluar “Dua Lipa”. Ky album debutues përmban 17 këngë, përfshirë hitet “Lost in Your Light” dhe “Hotter Than Hell”, tashmë të njohura për publikun, shkruan zeri.info.
Albumi i parë i këngëtares nga Prishtina pak kohë pas publikimit menjëherë ka arritur të dalë në vend të parë në iTunes të Britanisë së Madhe. Dua në rrjetin social Instagram shprehet shumë e lumtur për këtë fakt. “Albumi im i parë në vendin e parë në iTunes të Britanisë së Madhe. Nuk po u besoj syve”,shkruan Dua e emocionuar. Këngëtarja ka zgjedhur që albumi të mbajë thjesht emrin e saj, sepse sipas saj, ky album e personifikon atë, si person dhe si artiste.
“Arsyeja pse e kam titulluar me emrin tim është se ky album jam unë. Prezanton atë që jam si person dhe si një artiste”, pati deklaruar Lipa kur bëri publik titullin e albumit. Mediat e huaja kanë raportuar shpesh se Dua Lipa është një vajzë e larguar nga gjenocidi dhe konflikti në Kosovë, drejt Anglisë, atje ku do të vijonte Sylvia Young Theater School, prej nga dolën edhe Rita Ora e All Saints.