Kompozitori i operës së parë shqiptare, Prenk Jakova, në 100 vjetorin e lindjes u përkujtua në Akademinë e Shkencave. Për herë të parë u ekspozuan partitura origjinale, objekte dhe gjëra personale të kompozitorit të shquar. Familjarët shprehën dëshirën që në këtë përvjetor të rikthehej në skenë opera e parë shqiptare “Mrika”. Nipi i kompozitorit pohon se për operën “Skënderbeu” ka pasur rivënie në skenë, por “Mrika” ka munguar. “Veprat janë ruajtur prej familjes me shumë përkujdesje sepse ai me atë punë të madhe, kolosale që ka pasur ka lënë vepra, të cilat ekzistojnë në shtëpinë tonë dhe janë të ruajtur me shumë kujdes edhe pse koha ka bërë punën e vet. “Mrika” ka kohë që nuk vihet në skenë. Po bëhen disa përpjekje, por unë nuk di të kenë marrë një vendim të mirëfilltë për ta vënë në skenë. Për “Skënderbeun” e di që e kanë vënë në skenë, por “Mrika” ka humbur”,- pohon Lekë Prenga, nipi i kompozitorit. Aktiviteti i titulluar “Prenk Jakova në 100 vjetorin e lindjes (1917-2017)” vazhdoi edhe me tribunën muzikologjike, kushtuar jetës dhe krijimtarisë së Jakovës, si dhe me përshëndetjen muzikore “a cappella” nga krijimtaria e Jakovës, interpretuar nga kori polifonik i Shoqatës Kulturore Artistike “Prenk Jakova”, Shkodër. Akademiku Vasil Tole në kumtesën e tij, “Prenk Jakova, si kompozitor atipik”, u shpreh se Jakova është një nga tre kompozitorët më të rëndësishëm shqiptarë, të cilët krijuan të parat vepra të mëdha të muzikës sonë kombëtare. “Përkatësisht simfoninë e parë, operën e parë dhe baletin e parë; më konkretisht: Zadeja me “Simfoninë nr. 1” të vitit 1956; Jakova me operën “Mrika” të vitit 1958 dhe Daija me baletin “Halili dhe Hajria” të vitit 1963″. Sot nga largësia e 100 vjetëve, jemi në gjendje të kuptojmë më mirë e më qartë muzikën dhe personalitetin artistik të Prenk Jakovës. Mendoj se nuk ishte thjesht zgjedhja e tij që e bëri atë njërin prej krijuesve më të dashur e më të njohur, por dhe kompozitorin më atipik të muzikës shqiptare”, cilësoi në fjalën e tij akademiku Vasil Tole.
Aktiviteti i kompozitorit
Prenk Jakova lindi më 27 qershor të vitit 1917 dhe vdiq tragjikisht më 16 shtator të vitit 1969. Kompozitor i shquar dhe themeluesi i gjinisë së operës kombëtare shqiptare, me dy veprat e tij “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” dhe “Mrika”. Kjo e fundit ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës më 1958. Puna për operën filloi në vitin 1956. Me një punë këmbëngulëse e vullnet të fortë, Jakova fillon të hedhë në partiturë notat e muzikës që ai kishte në imagjinatën e vet. Të gjithë punimet pasi i kalonte në piano, çdo pasdite deri natën vonë, i konsideronte të përfunduara. Të gjitha këto i provonte me këngëtarët kryesorë, amatorët Klotilda Shantoja, Florinda Gjergji Petrit Garuci, Ndrek Gjergji. Për aktivitetin e tij, Prenk Jakova është nderuar me çmime, medalje dhe tituj të shumtë si: Çmimet e Republikës për operën “Mrika” dhe “Skënderbeu”, “Artist i merituar” në 1961, “Artist i Popullit”, në 1981 (pas vdekjes) dhe “”Nderi i Kombit” në vitin 2000. Në nderim të figurës së tij, Këshilli Bashkiak i qytetit Shkodër ka vendosur për artistët e shquar shkodranë titullin “Prenk Jakova”. Emrin e tij e mbajnë disa shkolla , institucione e shoqata artistike në Shqipëri e Kosovë.
Nga Julia Vrapi
Agjensia e Lajmeve Sot News