Filmi “Home Sweet Home” është shpërblyer për skenarin më të mirë në Paris. Në këtë edicion të “South East European Film Festival” janë prezantuar filma nga shtete si: Maqedonia, Turqia, Mali i Zi, Kroacia, Kosova, Rumania, Sllovenia, Serbia, Bullgaria, Shqipëria, Greqia, Bosnja dhe Hercegovina, Qiproja, Hungaria dhe Moldavia. Në “South East European Film Festival” në Paris, që ka përfshirë filma nga Ballkani, është vlerësuar me çmimin për skenarin më të mirë filmi “Home Sweet Home” skenar të cilin e ka shkruar skenaristi kosovar Zymber Kelmendi. Filmi “Home Sweet Home”, që është prodhim mes Maqedonisë dhe Kosovës, me regji të Faton Bajraktarit, me skenar të Zymber Kelmendit dhe producent Trim Musliu, është shfaqur premierë një vit më parë në festivalin “PriFest”. Me aktorë si Donat Qosja, Arta Mucaj, Shkumbin Istrefi, Lea Qosja, Mona Mustafa dhe Albin Bajraktari, filmi tregon për një ngjarje të pas luftës, me një tematikë më të veçantë. I zhdukur për 4 vite, i menduar si i vdekur dhe i varrosur, një hero i luftës Agron Gashi kthehet në shtëpi. Edhe pse në shikim të parë gjithçka duket në rregull, kthimi dhe prania e tij fillon të ndihet e tepërt për familjen dhe rrethin. Tashmë e gjithë jeta e familjes së tij është e planifikuar pa të dhe ai nuk e gjen më veten aty. Faton Bajraktarit, regjisori i filmit, ka treguar se të gjitha xhirimet janë bërë në një ambient të mbyllur. “Filmi është i gjithi enterier brenda një shtëpie, por nuk ka krijuar monotoni tek shikuesit”, ka thënë Bajraktari në mediet kosovare. Sipas tij, filmi shpesh ngre pikëpyetje tek shikuesit duke mos u dhënë gjëra konkrete. “Kjo është bërë qëllimisht nga ana regjisoriale për arsye të ngacmimit të imagjinatës së publikut. Ne nuk kemi dashur asnjëherë ta konkretizojmë ngjarjen deri në nivelin e asaj që gjithçka të jetë e kuptueshme, por kemi dashur që shikuesi të bëhet kureshtar, mungesa e konkretizimit të disa pjesëve sidomos ngjarjes nga e kaluara ka qenë diçka e qëllimshme nga ana jonë”, shprehet regjisori Bajrakatri. Filmi më herët ka marrë pjesë dhe në disa festivale të tjera të huaja, ku ka qenë në konkurrim mes prodhimeve kinematografike nga Evropa. Por, këtë herë ishte festivali në Paris ai i cili i dhuroi çmimin për skenarin më të mirë.
Agj.Sot News