Piktori Vangjo Vasili hapi ekspozitën “Peizazh” në Prishtinë. Natyra e Pogradecit, Shkupit, Korçës e viseve të tjera shqiptare, të paraqitura në një formë interesante dhe të detajuar vjen përmes pikturave të ekspozitës “Peizazh”. 22 piktura të punuara kryesisht me vaj, me ngjyra të ndezura e me kombinime të shumta të teknikave punuese, u prezantuan para të pranishmëve në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë. I pranishëm në hapjen e ekspozitës ishte dhe piktori Kujtim Buza. Në fjalimin e tij ai pohoi se pikturat e Vangjo Vasilit reflektojnë situata shumë emocionale, drithëruese dhe prekëse. “Kombinimet e njollave, vijave mbi telajo janë sureale, të veçanta dhe origjinale. Mbi qartësinë e telajos së Vangjo Vasilit qëndron origjinaliteti i tij”,- tha Buza, duke theksuar se vendi i lindjes së piktorit, Pogradeci ka qenë një mësues i madh edhe për të tjerët, ashtu siç do të jetë edhe vetë piktori. Sipas drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, data e hapjes së ekspozitës “Peizazh” do të mbetet në kujtesë për shumë kohë. Piktori Vangjo Vasili tha se realizimi i kësaj ekspozite është një dëshirë e hershme. “Gjaku, gjuha e gjenet më kanë sjellë inspirimin për realizimin e këtyre pikturave. Unë kryesisht trajtoj peizazhe, tablonë mirëpo këtu u mundova të sjell një pjesë të koleksionit për të qenë më përfaqësues”, tha Vasili, për të cilin është hera e parë që ekspozon punën e tij në Kosovë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Bibliotekën Kombëtare për dhjetë ditë në Prishtinë. Piktori shqiptar Vangjo Vasili, kreu studimet në Akademinë e Arteve ku është diplomuar në Grafikë në vitin 1973. Ai njihet për peizazhet e veçanta dhe stilin po kaq karakteristik që zotëron. Motivet e veprave te tij, vijnë nga një bote e stërhollë enigmatiko-sentimentale dhe poetiko-antologjike nëpërmjet procesit te përjetimit. Bota e hollë dhe transparente e Vasilit, është një rrezatim i brendshëm shpirtëror që reflektohet në telajo me anën e një drite të veçantë, e cila i tërheq shikuesit vëmendjen duke i shkaktuar qetësi dhe meditim. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita kombëtare e ndërkombëtare si: Tiranë, Gjirokastër, Shkodër, Korçë, Egjipt, Turqi, Itali, France, Austri, Rumani, Gjermani, Bullgari etj. Gjithashtu veprat e tij gjenden në shumë koleksione private te botes por dhe në institucione të ndryshme shtetërore.