Piktori Agron Saliu sjell ekspozitën e radhës në muajin tetor

Piktori  tetovar Agron Saliu në muajin tetor pritet të hap ekspozitën e tij të përbërë nga 20 portrete.

I gjithë koncepti i ekspozitës në fjalë, do të ndahet në tre kanale. “Pjesa e parë do të përbëhet nga figura pasionesh karrieristë të mëdhenj nga të cilët frymëzohen gjeneratat e reja, pjesa e dytë do të përmbajë portrete të figurave publike që kanë pasur influencë në karrierën time dhe pjesa e tretë janë lypsarët, që i trajtoj një kohë të gjatë, në përgjithësi shtresat sociale”  shprehet piktori tetovar për portalin Bonzo.

Bekim Fahmiu, Dritero Agolli, Shën Teresa, Ismail Kadare, Fadil Sulejmani, Rafi Halili, Sermine Purrini, Muhamed Reshiti janë disa nga figurat shqiptare, të cilat piktori Agron Saliu do t’i përfshijë në ekspozitën e tij të pëbërë nga 20 portrete.

Ekspozita e cila pritet të hapet në muajin tetor do të zhvillohet në Qendrën Informative Kulturore në Shkup dhe në fund  me mbështetje nga Ministria e Kulturës, do të botohet si katalog.

Agron Saliu ka lindur në vitin 1984 në Tetovë. Ai u diplomua në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në Fakultetin e Arteve me fokus në pikturë. Përpos ekspozitave në Maqedoni dhe rajon, ai është prezantuar me punën e tij edhe në vende të ndryshme të Evropës, ku ka korrur suksese të mëdha dhe ka ngritur emrin e tij edhe përpara auditorëve të huaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *