– Të mësoj nga gabimet, të shfrytëzoj kohën në të cilën jam, për destinacionin ku qenia ime ka nevojë të jetë
Simfonia e jetës sime tingëllon po aq bukur, aq sa orkestra ime e brendshme e sentimenteve e dekoron kompozimin e saj me nuansa të llojllojshme të kohës, lirisë, ndjenjave dhe asaj që formon tërësinë time.
Ai që jam unë, është reflektim pasqyrues i asaj që kam arritur të krijoj, prej momentin kur subkoshienca ime ka gjenë e gatshme të manovrojë me veglat krijuese të finalizimit tim kontinuel. Ai që do te jem unë, është e verbuar nga ajo që dua të jem. Të shfrytëzoj kohën në të cilën jam, për të arritur atë që do të jem, apo atë që dua të jem. Çfarë nëse të dyja do të kryqëzohen në të njëjtin mishërim? Çfarë tingulli simfonik do të më përfaqësonte mua atëherë?
Nuk më plotëson asgjë më shumë, se të jem i bindur në atë që jam dhe i vendosur për atë që do të jem, mirëpo çdokush është i njohur me vështirësinë e këtij procesi, i cili në shumë raste mund të jetë i pritur edhe si një revolucion i tërë. Pushtimi i të gjitha anktheve dhe ngërçeve të së kaluarës që faniten vazhdimisht, tejkalimi i fajit nga gabimet e bëra kur isha nën veshjen e një vetëdije tjetër do të ishte revolucioni im, ai të cilit dua t’i gëzohem. A nuk është ironi kjo, që me çdo kusht tentoj të ik nga ajo që ndonjëherë më jepte kënaqësi, përderisa tani çdoherë shkruaj dhe kujtoj të njëjtën? A është kjo mënyra e vetme për ta luftuar atë? Mbase edhe po …
Gjithçka fillon me veten time, edhe ndryshimi i saj bile. Një ditë brenda këtij ndryshimi zgjat sa një shekull, por sa e gjatë do të ishte përkrahja e gjendjes së pandryshuar me gjithë këtë nevojë dhe epsh ndryshimi. Do të filloj të ndryshoj atë që më rrethon, për të parë nëse kjo që më përbën do të ndryshojë vetvetiu. Një tendencë e tillë ekziston, mirëpo janë disa gjëra nga të cilat do të duhej të heq dorë, e s’dua! Do të më mungonin, e di, por aspak s’do më mungonte qëndrimi im pezull mbi sipërfaqen e avarisë, andaj, duhet të përballoj edhe mungesën në shtim të gjithçkaje tjetër. Por, gjithsesi më duhet të ndryshoj, më duhet të ik për të rikthyer një frymë tjetër nga ajo që lash, nga ajo që thithja.
I shoh zogjtë e bekuar me krahët e tyre mundësues të fluturimit, dhe them: “sa lehtë do të ishte për to, kjo nëpër të cilën kalon qenia ime”. Por nëse e kisha unë mundësinë e tyre, atëherë kjo i bie që ata të pamundësohen nga natyra e tyre.
Sa interesante është lidhshmëria jonë me të gjitha krijesat tjera në momentet kur meditojmë me veten dhe e parafytyrojmë atë, ashtu sikur zona jonë komforte kërkon, më aftësi të tjera, duke i varrosur armët tona që prehen në strofullën e mohimit. Është nevoja e ndihmës, shkëndijës që dikush duhet të më sigurojë për të gjetur veten dhe të vërtetën e vetes sime. Ata që mund të më ofrojnë shpresë, janë ata që më rrethojnë, ata prej të cilëve duhet të shpërndahem, që përsëri çon drejt shpëtimit të vetëm që ‘jeton’, e që është brendia ime, me të dhe në të.
Brendia ime më përfaqëson mua te vetja ime, ndërkaq ndërfaqja ime më shpalos ndaj të tjerëve. Ndërmjet këtij hendeku qëndron diku, foleja e takimit në mes të asaj që isha, asaj që jam dhe aspiratës futuriste për të qenë. Duhet të marr pjesë në një takim të tillë, në mënyrë që të përcaktoj se ku mbështetet shpresa ima, nëse e njëjta s’është e zbehur aq sa të refuzojë të më takojë.
Pavarësisht çdo gjëje, është e gjitha mbi supet e mia që të mbledh atë që kam, atë që dua të kem, atë që dua të bëj, për të arritur aty ku dhe dua të jem. Askush s’më ka thënë që do të jetë e lehtë, por askush s’më tha që s’do t’ia vlejë. Do marr ndjeshmërinë, poashtu dhe vendosmërinë, do t’i zbukuroj me qëndrueshmëri, do të mbështetem në integritetin tim, do të ushqehem nga synimi dhe aspiratat e mia, do të ndjek vizionin edhe përtej kufirit pamës dhe do të shkoj në destinacion. Do të më shoqërojë simfonia ime, të cilën kohë pas kohe do ta rikompozoj, deri në kryevepër.
Do të rikujtoj zvarritjen time me shumë krenari, në një kohë të largët dhe të zymtë, në zhurmën e vetmisë së heshtur, pranë bubullimës së zjarit, duke ngrohur atë që e kaluara përshkon me ngricë. Do të shikoj pas mbi jetën time, por ndryshe, jo se nuk do të dua të kujtoj gjërat ashtu siç kanë ndodhur, por sepse dua të nxjerr artin e teatrit të jetës sime. Ndoshta do e gënjej veten time, por prapë se prapë, në atë moment do të jem më i sinqertë, sepse do të them diçka të ndjerë dhe të kërkuar prej brenda. Lumturia e arritjes sime do të merr një kahje përhapëse eksponenciale, kur ajo do të lexohet dhe do të frymëzojë xixëllimën e parë te dikush tjetër për të filluar revolucionin e vet, për të kompozuar simfoninë e vet dhe për të gjetur eksplicitetin e vetes së vet.
Nuk e di nëse do ia dal, por me besim të plotë them që, kur tani hap sytë dhe shoh kaos, në kohë të largët do të mbyll sytë dhe do të shoh harmoni. Unë do të jem me veten time, përgjithmonë!
Mirlind Murati