IMAZH I PASHLYER
Energjia jote me ekzalton
Frymën ma përshpejton
Rrahjet e zemrës m’i çrregullon
Një drithërimë lëkundëse,
Një ndjesi përmbushëse,
Trupin ma përshkon.
Tundohem kur përpara meje kalon
Zgjuarsi intelektuale,
Urtësi shekullore,
Vlera njerëzore,
Nur burrërie si rreze dielli gjeneron
Xhentilesë shpërthyese, natyrshëm dhuron
Imazh të pashlyer, në mendje më krijon
Zemrën pa mëshirë,
Ma kontrollon,
Ma pushton,
Në pafundësi, ma përvetëson.
Dyndje shpirtërore po përjetoj
Druaj dhe vetëm druaj,
Një imazh i pashlyer, gjithë jetën do të më pasojë.
TURBULLIRË POLITIKE
Një e tashme me indikacione jopremtuese
Grupe njerëzish me prirje përfituese
Atmosferë politike ҫaluese
Rrjete mediatike me lajme dëshpëruese
Masë kritike me kapacitete jondikuese
Përplasje krijesash politike
Fuqi udhëheqëse e diskutueshme
Debate të njëjta shumëshekullore
Reforma të zvarritura deri në pafundësi
Politikbërje mbi dërrasa të kalbura
Një garë publike maskiliste
Një trend akilian ku,
Më shumë mëtohet lavdia vetjake sesa zhvillimi kolektiv
Një ngecje e mjegullt ku,
Na lejohet të shohim sipërfaqen e planeve politike,
Ashtu siҫ shohim majat e ajsbergut në ujëra të hapur
Vallë, kush guxon të njohë thellësitë e ajsbergut?!
Druaj, asnjë! Përballja me ftohtësinë prej akujsh oqeanikë,
Eshtë ngrirëse për ҫdo shpirt njeriu.
E MPIRË
Duroj të padurueshmen
Nuk më lejohet të revoltohem
E çoroditur, kërkoj besnikëri
E kotë! Nuk gjendet në zemrat e njerëzve
Përpiqem të kuptoj të pakuptueshmen
Mpihem! Nuk është diçka që kuptohet
Kam nevojë për shkak dhe arsye
Nuk më jepen, shpërfillem
E padurueshme dhe neveritëse shpallem
Më veshin faj, më sulmojnë
Më thonë: “Je e bezdisshme” dhe “Nuk di të kuptosh”
Në mungesë të argumentit më heqin qafe
E mpirë, pyes veten: Kush kë duhet të kuptojë?
Ai që lëndon apo ai që pëson?
Nuk dua të pranoj një realitet dëshpërues!
Pse duhet të mjaftohem me një trajtim përvëlues!?
Mos vallë se është kohë mëkatesh e mashtrimesh?
Ose ngaqë,
Vetërespekti nuk vlerësohet
Ndjenja e vërtetë nuk kultivohet
Është ngacmuese! Një grimë korrektësie të mohohet
Po ta kërkosh, fajësohesh
Aq më shumë, ndëshkohesh
Përpiqem të kuptoj situatën ku ndodhem
Mpihem! Ndjenja e nënshtrimit dhe bindjes adhurohet
Situatë e dhimbshme! Vrerosëse! Pa rrugëdalje
Nuk kërkohet shpëtim në kushte të errëta
Nuk ecet krah për krah me të panatyrshmen,
Me zhgënjimin, nëpërkëmbjen emocionale
Me manipulimin, me zënkat e pakuptimta
E mbërthyer nga naiviteti,
Kërkoj respekt dhe vendosmëri
Kërkoj atë që më ngroh qenien me përkushtim
E mpirë! Më kot kërkoj…
Kërkoj diçka që nuk ekziston
Kërkoj një iluzion, i cili duhet harruar
Realiteti i çuditshëm duhet përqafuar
E TEPËRT JAM
E kuptoj që e tepërt jam kur,
Nevojat dhe shqetësimet,
Nuk më përfillen.
E kuptoj që e tepërt jam kur,
Arsyeja dhe argumenti
Më kundërshtohen.
E kuptoj që e tepërt jam kur,
Fjala dhe vuajtja,
Më zhvleftësohen.
E kuptoj që e tepërt jam kur,
Zhgënjimi dhe tradhëtia,
Më ofrohen.
E kuptoj që e tepërt jam kur,
Sulmet më vijnë pa paralajmërim,
Xhelozia më vishet me paramendim.
E kuptoj që e tepërt jam kur,
Një heshtje shpuese m’i ‘shurdhon’ veshët ndërsa,
Një indiferencë alarmuese m’i trazon eshtrat.
Suzana Ejupi, lektore e lartë në marrëdhënie të rregullt pune në katedrën e gjuhës dhe letërsisë angleze në Universitetin e Tetovës, ka përfunduar studimet universitare dhe pasuniversitare në Universitetin e Evropës Juglindore, ndërsa studimet doktorale pranë Departamentit të Gjuhësisë, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, Shqipëri. Për sa i përket përvojës profesionale, ajo ka punuar 2 vjet si demonstratore e gjuhës angleze në Universitetin e Evropës Juglindore (2003-2005); 1 vit si ligjëruese e gjuhës angleze në Universitetin e Prizrenit, Kosovë (2012-2013); asistente profesori në Universitetin Veror Ndërkombëtar, organizuar nga Asociacioni për përgatitjen akademike në Shkup (2006 – në kuadër të kësaj shkolle, ajo ka qenë mësimdhënës i ftuar, në një nga universitetet e Barcelonës, Spanjë), dhe si ligjëruese e letërsisë angleze në Universitetin Aydin në Turqi, e angazhuar nga programi Erasmus + (2017 – UT). Në nivel të bagazhit shkencor, ajo ka botuar 17 punime shkencore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në vende si Turqia, Rusia, Belgjika, Shqipëria, Bullgaria e tjera. Përpos publikimeve shkencore, ajo është e çertifikuar për pjesëmarrje dhe prezantime në 15 konferenca lokale dhe ndërkombëtare dhe ka qenë kordinatore e konferencës së dytë ndërkombëtare shkencore të Fakultetit Filologjik në Universitetin e Tetovës. Poashtu, ajo ka ndjekur seminare, puntori dhe kurse përgatitiore për vlerësim institucional (USAID-2006); integrimi i teknologjisë së informacionit në Kurrikula (USAID-2006); politikat arsimore në mësimdhënie dhe mësimnxënie (UEJL-2012); zhvillim profesional (Peace Corps – 2014) e tjera. Ndër të tjera, që në moshën 16 vjeçare, është përfshirë në aktivitete të ndryshme që ka realizuar Lidhja e gruas shqiptare – dega në Gostivar, për emancipimin dhe përparimin e rolit të gruas në shoqëri. Në këtë drejtim, ajo ka ndjekur seminare dhe kurse përgatitore me temë; puna me të rriturit dhe fëmijët e traumatizuar (1999 – Asyl –Organisation fur den Kanton Zurich); Rrjetëzim për menaxherët e OJQ-ve; Mbledhja e fondeve për OJQ-të (2003- ECMI-NGO). Për më tepër, në moshën 20 vjeçare, ajo ka qenë pjesëmarrëse në projekte si Edukata shëndetësore (2003-Lidhja e gruas shqiptare në Maqedoni-dega Gostivar); Toleranca, respekti i ndërsjellë dhe e drejta për të qenë ndryshe (2003- Women’s action; Friedrich Naumann Stiftung); aktiviste në menaxhimin e dhunës në familje; arsimimin e femrës; promovimin e vlerave kulturore dhe kombëtare etj.