Pas një kohe, teksa reflekton mbi të shkruarën tënde e kupton se mbase nuk ka qenë fare e thjeshtë, por në momentin që je ballafauar me të ke pasur forcën që të është dashur, ndaj edhe ka kaluar si pahetueshëm kjo sfidë.
Në moshën 6 vjecare isha një vajzë e llastuar që ishte mësuar gjithmonë të marrë çfar dëshironte, të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Si po kalonin vitet ky trajtim zbehej dhe në moshën e adoleshencës fillova ta ndjej peshën e gjërave në supe (të pakten aso kohe më dukej e vështirë). E rritur në një familje ku kishte parime strikte të vendosura, në atë moshë pritej nga unë të jem e suksesshme në shkollë (do e mos, se s’bën), të jap kontributin tim në punët e shtëpisë dhe nga vetëdëshira të gjeja kohë edhe të argëtohesha. Shpesh ndjeja se dicka po më mohohet.
Duke qenë natyrë e qetë, bindëse, jo shumë luftarake, por edhe kokëfortë dhe shpirt i lirë gjeja kohë edhe për argëtim. Më kishin mësuar se edukimi dhe shkollimi do të hap rrugët e punësimit, e të qenurit e pavaruar si grua. Duke qenë studente shumë e mirë gjatë gjithë kohës së shkollimit miq e moshatarë, profesorë më inkurajonin të punoj fort dhe se një ditë do të jem e suksesshme në fushën që do përzgjidhja. Për të qenë e sinqertë jo çdo herë ka pasur komente kaq pozitive, ka pasur edhe plot zëra qortues, kritikues mandej edhe nënvlersues e përulës, por unë i quaj zëra vendimtarë në formimin e asaj që jam sot.
Gjatë studimeve deridiplomike dhe pas diplomike e dija një gjë: duhet të jem e suksesshme, sepse tani më kisha 3 premtime ti mbaja: vetes (sepse doja vërtet të jem dikush), prindërve, dhe të u’a dëshmoja të kundërten atyre që dyshuan. Pas mbarimit të studimeve pasdiplomike më duket se kalova periudhën transformuese nga ajo që kisha menduar deri atëherë në atë që duhej ta vendosja në praktike. Për gati 3 vite isha e papunë periudhë e vështirë, gati depresive (shpesh më tingellonin zërat nënvlerësues). Gjatë kësaj periudhe kam lexuar libra psikologjikë, libra të atillë që inkurajojnë se sa i rëndësishëm është vetëbesimi, se sa i rëndësishëm në fakt është vetëm një zë, se nuk duhet të pajtohesh me atë çfarë tjerët të imponojnë të jesh, të sillesh, të veprosh.
Sot në moshën 27 vjeçare, me 2 vjet përvojë pune, e kam kuptuar se vërtet zëri im ka peshë, bën diferencën jo vetem për mua po për të gjithë ata që më rrethojnë. Sa e rëndësishme është ti besosh vetes, të flasësh kur bëhet padrejtësi. E gjithë forca ime qëndronte në mendjen time. Krejt çfarëmë duhej ishte ta bind veten që unë di, mundem dhe ja dal! Andaj është shumë e rëndësishme ti besoni vetevetes, vlerave dhe qëllimeve. Përfundimisht do arrini atje ku dëshironi dhe do e ndjeni që në fillim rrugën e duhur që do e merrni!
Mimoza Musa