“Kuqezinjtë” do të përballen me fituesin e duelit IFK Norrkoping (SWE) vs Trakai FC (LIT) në raundin e tretë të UEFA Europa League, nëse arrijnë të eliminojnë HJK Helsinkin e Finlandës. Ndeshjet e raundit të tretë luhen më 27 korrik dhe 3 gusht.
Shorti i herdhur në selinë e UEFA-së në Nyon të Zvicrës ka përcaktuar fituesin e duelit IFK Norrkoping (SWE) vs Trakai FC (LIT) si kundërshtar të Shkëndijës në rast të kualifikimit në raundin e tretë të eliminatoreve të UEFA Europa League.
Pas eliminimit të Daçias së Moldavisë në raundin e parë, “kuqezinjtë” kanë shanse të mira për të kaluar edhe pengesën e dytë, pasi mundën 3:1 HJK Helsinkin në ndeshjen e parë të enjten në Strumicë.
Nëse Shkëndija mbron këtë rezultat, prenoton dy takime, më 27 korrik si mysafire në Suedi ose Lituani, ndërsa ndeshja e kthimit luhet më 3 gusht në terren vendas. Gjithsesi, para se të mendojë për raundin e tretë, Shkëndija është e koncentruar në takimin e dytë me HJK Helsinkin më 20 korrik në Finlandë.