Këmbëzbathur në pragun e fatit, proza që mori vendin e parë në kontestin e  Orës poetike – Tetovë!

Këmbëzbathur në pragun e fatit, proza që mori vendin e parë në kontestin e Orës poetike – Tetovë!

Të shtunën, më 15.07.2017, u mbajt Ora poetike e Shoqatës së Shkrimtarëve “OENEUM”  – Tetovë si pjesë e aktiviteteve  të  Komunës së Tetovës, të njohura tashmë  tradicionalisht si “Vera e Kulturës Tetovare”. Me këtë rast, u bë edhe ndarja e çmimeve dhe mirënjohjeve për pjesëmarrësit e konkursit letrar “Krijues të rinj”.

Në këtë konkurs, morën pjesë shumë krijues  (deri në moshën 28 vjeçare), nga qytete të ndryshme të Maqedonisë, si Tetova, Gostivari, Shkupi, Dibra, Struga, Kumanova etj. Megjithatë, në përzgjedhjen e Jurisë profesionale, kaluan vetëm 20 krijues të cilët u shpërblyen me mirënjohje.

Ndërkaq u ndanë edhe 3 çmime të para për poezi dhe prozë.

Vendi III për poezi i takoi Blerona Braos nga Struga. Vendi II shkoi për Valdeta Dulahun  nga Tetova, me poezinë “Ke për të parë”. Ndërsa, fituese e çmimit të parë me poezinë “Pritja” ishte Nurie Emrullai nga Kërçova.

Në prozë, vendi III I takoi Lira Bojkut nga Shkupi, vendi i II Besarta Ramadanit nga Tetova me prozën “Ëndërr”, ndërsa fituese e vendit të parë ishte Fatjona Abdullahi nga Tetova, me prozën e titulluar “Këmbëzbathur në pragun e fatit”.

Përndryshe Fatjona Abdullahi, është krijuese e re, e lindur dhe rritur në Shipkovicë të Tetovës. Studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i ka vijuar në Universitetin e Tetovës, ndërsa pasionin për letërsi e ka zbuluar që në moshë shumë të re. Së fundmi ajo është bërë shumë aktive në konkurset letrare, në të cilat edhe është shpërblyer me disa çmime të para prej të cilave mund të përmendim vendin e parë me poezinë “Arrati shpirti” në konkursin e organizuar nga Fondacioni Albiz, në pranverë të këtij viti; si dhe vendin e dytë me ese në konkursin e Shoqatës “Arsimi” në Zvicër, në bashkëpunim me Universitetin e Tetovës.

Edhe kësaj here, ajo u vlerësua për krijimin e saj në prozë, të titulluar:

 

Këmbëzbathur në pragun e fatit

“Kërcënueshëm hapi hapin ndjek, teksa ëndrrat ngjiten mbi mjegulla dhe betohen për kokë se nuk shkelin më mbi truallin e rrudhur nga mllefe dragonjsh…

Si të rikthehen? A vijnë ëndrrat vallë drejt zhgënjimit? A presin vallë radhën, kur fajet të lëshojnë vendin për t’u ulur dëshirat?

Punë që s’bëhet mik!

 Në kohë trazirash, thonë qeni të zotin s’e njeh…Veç sot më vjen të ulëras kur shoh se si të zotët nuk njohin qentë rreth e rrotull!

Kohë qensh!?  Jo!

Kohë e të pazotëve,e lakmitarëve të bindur se gjurmë lënë veç këpucët firmato, veturat,  jahti luksoz (paçka se dallgët përmbysin çdo shenjë…)!

Thundërmëdhenjtë shkelin kudo!  Mbi fate njerëzish!  Kanë hapa të rëndë që veç zemrat e shtypura ua dinë sëmbimin! Por, ama, një ditë, jo më larg se sot, se nesër, pesha e shkeljeve, përbaltjeve, përbuzjeve do të rëndojë mbi të gjithë… Atëherë, do të na ngecë në fyt e pathëna! Do të skuqemi si shega në zhblimin e saj, kur këmbëzbathur do përulemi mbi pragun e vjetër të fatit…

Se ne pranuam vetë të zbathemi.Të zhvishemi. Të zhvatemi nga ajo që ia pamë veç shkëlqimin, por jo edhe burimin e dritës. Ne harruam se i dhamë më shumë jetë asaj që vodhi më shumë prej jetëve tona.

Sa shpejt do të na vijë në kujtesë, se shpejt paskemi harruar, atë që na bëri të ishim NE.

Ne nuk jemi rastësisht në këtë botë, nën këtë qiell…por nëse vazhdojmë të jemi po NE, do të na duhet që të kthehemi me çdo kusht në diçka tjetër!…  Askush s’i do metamorfozat, e di! Por, as të qenët amorf nuk është gjë për t’u krenuar!

Të ulemi,  e të dëgjojmë atëherë, ç’na sjell e nesërmja. Të bëhemi sy e veshë para kumtit të hidhur që vetë jeta ua jep atyre që janë si ne, që nuk janë si ata, që mund të jenë, po edhe të mos jenë si ju...

“Në jetë dhe në art, vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët”- thotë poeti. Po jeta nuk i ngjan poezisë,- më thua… Të dyja janë të papërsëritshme, mik! Po të dalin nga duart nuk të vijnë më. E para të bën të përjetshëm, e dyta, jo gjithmonë të bën poet!

 Veç le të mos na bëjë frikacakë, së paku…pa le më vrasës (ndërgjegjesh, dëshirash, ëndrrash)…

-Pse, a vrasin këmbëzbathurit?!

Edhe më keq, vetëvriten!…”

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *