Në kuadër të Verës Kulturore Tetovare, si çdo edicion edhe në këtë edicion do të jetë Rruga e ombrellave, por me ndryshim që këtë herë do të zhvillohet në shesh të qytetit.
Në vazhdim, kumtesa e plotë e bordit organizativ të Verës Kulturore Tetovare.
Të nderuar qytetarë, të rinjë, dhe njerëz të mirë…
Vera e Kulturës Tetovare tani më 5 vite me rradhë imponon vlera univerzale të një bote të dëshmuar , promovon ndryshimin, të menduarit pozitiv, dhe ofron arenë ku më të guximshmit mes nesh recitojnë emocionet, gjallërojnë në tinguj notat e shkruara në letër, godasin në pëlhurë brushat plot ngjyrë, me të vetmin qëllim që qyteti ynë, në të cilin të gjithë ne ndajmë frymën e Zotit, të marrë drejtimin e një rruge e cila kahëzon një rini të shëndoshë, me fëmijë që vet shtrojnë rrugën e tyre dhe prindër krenarë !
Këtë vit rrugën e ombrellave e zhvendosim në Shesh, jo për të dërguar mesazh hidhërimi, as për të ndëshkuar apo shpërblyer dikend. Duam të përcjellim mesazhin i cili flet, se rrugët në kohën në të cilën jetojmë na paraqiten shumë të ngushta për të shprehur diversitetin ku secili prej nesh e gjen veten në mënyrën se si feston, argëtohet dhe shpreh hidhërimin e një fëmijërie të humbur…. Akoma kemi nevoje për sheshe, që na japin hapësirën e duhur, për të gjetur veten, për të biseduar me të tjerët, dhe për të qenë të sigurtë se kemi vendin mes të tjerëve, të cilin shpesh herë mendojmë se na takon e ndoshta edhe nuk e meritojmë.
Këtë vit, ombrellat i hapim në shesh, e në mot, kushedi ndoshta e gjejmë përsëri RRUGËN dhe kthehemi atje sërish! Veprimet individuale nuk duhet dhe nuk mund të imponojnë vullnetin kolektiv, por ndoshta një hapësirë më e sheshtë do na bëjë më të vetëdijshëm se sa jemi të vegjël kur jemi vetë, dhe sa i nevojitemi njëri tjetrit!
Me respekt,
Bordi organizativ VKT2017