Këtë javë redaksia e Bon Zo, pati nderin të realizojë inervistë me Drejtorin e ri të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Drilon Iseni. Ai është magjistër i të drejtës ndërkombëtare nga Universiteti i Amsterdamit, bursist i qeverisë së Holandës në procesin e integrimit të Maqedonisë në BE dhe pjesëmarrës në dhjetëra trajnime dhe projekte në vend, rajon dhe Unionin Evropian. Me përvojë profesionale në më shumë sfera, si dhe angazhim vullnetar në organizata profesionale, aktualisht Drejtor Ekzekutiv në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri Perëndimore dhe përfaqësues për Maqedoninë i rrjetit të juristëve European Legal me seli në Rotterdam të Holandës.
Studimet master i keni mbaruar në Holandë, përse? A mendoni se ju priti një perspektivë ndryshe për shkak të kësaj?
Ndaj bindjen se, në rast se avancimi akademik nuk vazhdohet në një universitet më të avancuar se ai parapraku, çka do të ishte vlera e shtuar e dijes? Nga disa opsione kam zgjedhur Holandën për shkak të traditës së shkëlqyer në sistemin arsimor, për faktin që gjykatat ndërkombëtare janë të vendosura atje, është një nga vendet themeluese të Unionit Evrpian, etj. Në atë kohë vendi ynë kishte marrë trajektoren pozitive në procesin e integrimit në BE dhe ishte koha e duhur që të “kapim” këtë moment, për një perspektivë më të mire për vendin tonë. Dhe në fakt bursistët që u kthyem nga Holanda u vendosëm në pozita kyçe profesionale (jopolitike!) në administratë, mirëpo me kalimin e kohës ky proces disi ngeci dhe rrjedhimisht bursistët u larguan! Mirëpo përvoja në Holandë dhe institucionet publike na hapën horizonte të reja profesionale në projekte të ndryshme në vend. Mbase, motivimi im ka qenë gjithmonë të ndjek përcaktimin e Abraham Lincoln i cili ka thënë: “Unë do të përgatitem dhe ndoshta një ditë do më vijë mundësia”! Dhe mendoj se çdo individ duhet të ndjek këtë moto.
Si e komentoi dëshirën e të rinjve për tu larguar jashtë shtetit? Ju vetë përse nuk qëndruat në Holandë pas masterit?
Në Evropë migrimi i të rinjëve paraqet një mundësi shtesë, ndërsa tek ne situata është brengosëse sepse të rinjët ikjen nga vendi e shohin si domosdoshmëri për mungesë të mundësive këtu, pra emigrimi shihet si shpëtim e jo si opsion. Andaj, ky fenomen duhet trajtuar me një përkushtim të jashtëzakoshëm për të evituar këtë rrezik demografik që i kanoset vendit. Personalisht, besoj se kontributi profesional në vendin e lindjes është më i çmuar pasiqë vendi ka nevojë për zhvillim dhe ajo që do e lëmë si trashëgimi do jetë në të mirë të pasardhësve tanë. Nga Holanda u kthyem që ti përcjellim përvojat tona nga ai vend, të zbatojmë dituritë e akumuluara atje, që të japim një kontribut në ndërtimin e një vendi me vlera shoqërore dhe demokratike, për të qenë anëtar i denjë i Unionit Evropian.
Çfarë është perspektiva e të rinjve në Maqedoni, cilat profesione i shihni më me avantazh?
Përcaktimi i të rinjëve për të vazhduar karrierën në administratë publike duhet të përfundojë sa më shpejtë për faktin e mundësive të kufizuara që jep në karrierë. Perspektiva reale e të rinjëve në Maqedoni është në të bërit biznes. Padyshim industritë kreative siç janë lëmitë e reklamimit dhe marketingut, arkitektura, artizanatet, dizajni, teknologjitë informative, etj, për faktin që këto profesione janë të njejta në tregun global, ofrojnë mundësi pafund të bërit biznes, për shkak të qasjes së lehtësuar në të njëjtin. Padyshim, cilido profesion të zgjedhin të rinjët duhet të jenë të gatshëm të kryejnë me përkushtim dhe të synojnë të bëhen më të mirët.
Personalisht, cili është çelësi i suksesit tuaj?
Përgatitja, fati dhe guximi për të ndërmarrë iniciativë në momente të duhura. Asgjë nuk është e rastit përveç rastit në vete! Pra, mund të vijmë në një situatatë rastësisht, mirëpo pa iniciativë momenti do ngel histori. Seneca thoshte që: “Fat është kur përgatitja takon mundësinë”. Unë, për vete vazhdimisht përgatitem! Pa dyshim, për fat unë konsideroj të pasurit një familje që të përkrah në mënyrë të parezervë, një shoqëri dhe miqësi të shëndoshë që beson në vizionin tuaj intelektual, profesional apo shoqëror.
A pendoheni për diçka sa i përket zgjedhjeve në karrierë / profesion? Çfarë do të ishte një alternativë B sipas pasionit tuaj?
Ajo çka kam mësuar nga karriera është që nuk mund të shkëlqeni në një pozitë në rast se vlerat personale nuk përputhen me misionin e organizatës apo profesionit që ushtroni. Personalisht kam karrierë të diversifikuar që më mundësoi të identifikoj aftësitë dhe të njëjtat t’i zbatoj kur të jetë nevoja. Më herët kam menduar të studijoj informatikë pasiqë kam pasur njohuri kompjuterike që nga fëmijëria, mirëpo në fund preferencat kanë qenë në mes drejtësisë dhe ekonomisë. Andaj, s’kam asnjë hamendje që kam bërë këtë zgjedhje. Kur më pyesnin si mundet një jurist të drejtojë një odë ekonomike, ju tregoja se Theo Waigel që njihet si baba i EUROs, reformatori më i madh dhe ministër i financave në Qeverinë e Kancelarit Kohl ka qenë jurist, andaj juristët bëjnë punë të mirë edhe në ekonomi. Profesion B? S’di a mundem ta kategorizoj ashtu! Mbase, por jo domosdoshmërisht, mendoj që angazhimin në diplomaci do e bëja me shumë pasion, për të cilin kam kohë ende! 🙂
Çfarë ju inspiron në jetë?
Njerëzit ëndërrimtarë dhe përkushtimi për të ndjekur ëndrrat tyre në çdo rrethanë,
pasioni i njerëzve për të dalur nga ajo që është “standarde”, të menduarit jashtë kutisë dhe shpirti i të rinjëve të cilët nuk njohin kufizimet mendore. Më inspiron edhe zelli i një profesionisti në veprimtarinë e tij ose saj, përpjekja për ngritje konstante për përmirësim, ambicjet për të sjellur standardet profesionale evropiane në rrethana lokale.
Cila është motoja juaj e jetës dhe thënia e preferuar?
Motoja e jetës sime është carpe diem, të shfrytëzojmë çastin, jo në kuptim të “çmendurisë momentale” por në aspekte tjera sociale siç janë çastet me më të dashurit tanë, shoqërimi me njerëz të kulturavë të ndryshme për të mësuar botëkuptimet e ndryshme qoftë për jetën, botën apo profesionin. Të përfitojmë nga rasti për të mësuar nga çdo moment apo situatë për të përmirësuar veten që të lëmë në trashigimi vlera, virtyte dhe sensin e altruizmit tek pasardhësit tanë.
E kam vështirë të zgjedh thënien më të preferuar, megjithatë nëse duhet të përmend një është padyshim ajo e Presidentit AmerikanLyndon Johnson: “Mundësi për gjithë, privielegje të veçanta për askënd”, për faktin që në Maqedoni dhe më gjërë vuajmë nga mundësitë e barabarta”!
Së fundmi jeni në pozitën e Drejtorit në kuadër të OEMVP. A jeni i kënaqur nga kjo arritje. Si mendoni se do të kontribuoni në këtë vend pune?
Përzgjedhja ime si Drejtor Ekzekutiv në OEMVP padyshim është një nga arritjet kulmore në karrierën time profesionale për shkak të rëndësisë që ka kjo organizatë për vendin. Çdo sukses në karrierë është fjalëkalim “password” për stazat më të rënda në profesion, sikurse është ngjitja në majat e maleve karakterizohet me erëra të fuqishme dhe temperatura të ndryshueshme. Arritjet e tilla duhet parë nga perspektiva e përgjegjësive që ndërmerr si individ e jo privilegjeve eventuale që mund të kemi. Si drejtor, kam përcaktuar prioritetet e mia. Qëndrimi në suksesin nuk është i lehtë sikursë ështe e rëndë ngritja në një shkallë më lartë andaj kjo pozitë paraqitet si tepër sfiduese për mua. Qasja me profesionalizëm, përkushtim dhe mishërim në punën që e bëjmë do jetë aksiomë dhe garancë për suksese! Kontributi në pozitën e tillë nuk lidhet thjesht me realizimin e aktiviteteve, por me realizimin e misionit që kemi si organizatë, e ai është zhvillimi ekonomik i vendit, që në vete ngërthen mundësi për të gjithë, cilësi dhe standart jete dhë përgatitje e vendit për të përballuar konkurrencën globale në çdo aspekt.