Gjatë pjesës më të madhe të jetës, Gunter Grass, fitues i çmimit Nobel në letërsi, ishte personifikimi i ndërgjegjes morale të Gjermanisë, me shkrime të forta mbi gati çdo gjë të rëndësishme, nga faji kombëtar i pasluftës, te çështja Izrael – Palestinë. Duket se vdekja e Gunter Grass nuk e ka shuar vendosmërinë që kishte në të gjallë për të provokuar debat.
Në librin e tij të fundit, të botuar pas vdekjes, shkrimtari shpreh shqetësimin për trajtimin çnjerëzor të refugjatëve dhe mbi të gjitha shtimin e urrejtjes së përgjithshme ndaj tyre. Grass ankohet se gjermanët, të cilët dikur kanë qenë refugjatë vetë, tani shfaqin të njëjtën intolerancë që kanë pësuar vetë.
Gjithsesi, libri përcjell edhe fije shprese, kur autori sugjeron se do të vijë një ditë kur ata që kanë qenë gjithmonë “vendas” do ta njohin “jashtmërinë e tyre” te të tjerët.
Në një moment kohor të pagabueshëm, vepra e Grass botohet ndërsa Gjermania dhe e gjithë Europa është përfshirë nga debatet mbi çështjet e azilit.
Por kriza e refugjatëve nuk është e vetmja çështje politike e prekur në librin e fundit të Grass. Në një nga poemat e librit sulmohet edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila, sipas tij, “me shumë fjalë nuk thotë asgjë”./botimeshqip/