Superlufta është një nga më të rëndësishmet dhe më të dëshiruarat ndonjëherë.
Fansat e boksit dhe UFC brengosen për çmimet që do të mund të kërkohen për të shikuar luftën mes Floyd Mayweather dhe Conor McGregor, por ata që jetojnë në Britani dhe Irlandë mund të rrinë të qetë.
Raportime janë shfaqur se fansat mund të paguajnë 100 funte për të parë ndeshjen, mirëpo kjo shumë do të jetë në Shtetet e Bashkuara, dhe jo funte por dollarë, pasi atje programet e parapaguara janë më të shtrenjta.
Promoteri i boksit Eddie Hearn ka thënë se do të befasohet nëse çmimi për parapagim të ndeshjes në Sky Sport do të jetë më shumë se 19.95 funte.
Ai tregoi për GQ se Mayweather dëshiron që çmimi të jetë 100 funte, por ai është i sigurt që Sky nuk do të shkojnë më shumë se 19.95, pasi ai është çmimi i tyre i zakonshëm për programet me parapagim.
Në vitin 2015, ndeshja mes Mayweather e Pacquiao kishte kushtuar 24.95 funte në Britani, mirëpo kjo nuk do të thotë se edhe ndeshja e 26 gushtit do të kushtojë aq. Në Shtetet e Bashkuara do të jetë tjetër temë, pasi fansat do të paguajnë 89.99 dollarë për ta parë luftën në definicionin standard, e 10 dollarë më shumë për ta parë në definicion të lartë. /insajderi/