Ka gjësende në këtë botë, që janë thjesht ashtu si janë. Gjësende që ishin gjithmonë të tilla dhe të cilat nuk mund t’i ndryshojmë dhe duhet thjesht t’i pranojmë. Ndoshta tingëllon banale, por në të vërtetë, ky është një proces, që është shumë i vështirë dhe ka nevojë për shumë angazhim.
Në këtë artikull dua t’i prezantoj 10 fakte të tillë dhe kërkoj prej teje një minutë kohë dhe seriozisht të mendosh thellë dhe pastaj, merr një vendim të shëndosh, të cilin Ti, tërë jetën e zbaton.
Nëse e bën këtë, unë të garantoj se do të bësh një hap të madh drejt paqes së brendshme, me më shumë rehati dhe do të kesh, më pak brenga në jetë.
Hapi i parë për të mësuar lirimin
Për t’i pranuar faktet që nuk mund t’i ndryshosh – mendoj në ato që duhet pranuar në tërësi – është mësimi “për t‘u liruar“ dhe kjo është një aftësi kritike, që duhet domosdoshmërish ta përvetësosh në mënyrë që të ndryshosh jetën tënde në drejtim pozitiv.
Sipas mendimit tim hapi i parë dhe më i thjeshtë është përvetësimi i kësaj aftësie, sepse disa, t’i quajmë fakte dhe të vërteta me rëndësi universale në këtë botë, duhet t’i vështrosh saktësisht, të mendosh thellë për to dhe pastaj t’i pranosh një herë përgjithmonë, në aspektin intelektual dhe para së gjithash t’i përmbyllësh në atë emocional. Kjo domethënë shkëputje, ndarje, lirim.
Mendoj se është më lehtë të niset nga fakte që kanë vlerë të përgjithshme, kur njeriu dëshiron të mësojë si pranohen problemet dhe si lirohemi prej tyre. Kur ia del me këto të vërteta me vlerë të përgjithshme, me aftësitë e reja të përfituara, do të jetë më lehtë edhe në fusha tjera, respektivisht me probleme tjera individuale. Duke zbatuar parimet bazë, brengat do t’i lini pas vete shpejt dhe lehtë.
Ok, këtu ke 10 faktet, të cilat Ti në këtë botë thjesht duhet t’i pranosh:
1. Ti do të humbasësh shokët, të afërmit e familjes dhe të dashurit
Ky fakt është një e vërtetë e hidhur, të cilën shumica prej nesh e dinë, mirëpo për të cilën kurrë nuk jemi përnjëmend të vetëdijshëm. Së paku jo deri në atë çast, kur na shfaqet si një goditje e befasishme çekani dhe na hedh nga binarët.
Di se për ty është e qartë se njerëzit nga rrethi yt, nuk do të jetojnë gjithmonë, mirëpo a je vërtetë i vetëdijshëm për këtë fakt? Apo përpiqesh ta shpërfillësh atë që si një hije e zezë noton mbi ty dhe të mban shpresa se çasti, kur do të humbasësh ndonjë njeri shumë të rëndësishëm, nuk do të vijë kurrë?
Nuk shkakton vetëm vdekja humbjen e shokëve, pjesëtarëve të familjes dhe njerëz të dashur, por edhe fakte tjera, si zënkat dhe rrethanat e reja mund të ndikojnë që njerëzit të zhduken nga rrethi yt i tanishëm.
Fakti që duhet patjetër të pranosh është se njerëzit vijnë në jetën tënde dhe do të zhduken. Kur ta pranosh këtë, atëherë pikëllimi dhe brengat për humbjet e tyre, ose të një lidhjeje, zvogëlohet.
2. Ti do të vdesësh
Nuk ka asnjë dyshim se nuk të të dëshiroj asgjë të ligë, mirëpo ne dy e dimë shumë mirë, se koha jonë në këtë tokë, është e kufizuar. E vërteta absolute është se Ti, madje nuk di a do të jesh nesër këtu.
Ti mund këtë fakt ta shpërfillësh dhe të sillesh se gjoja nuk të shqetëson fare, se ti ke para teje një kohë të pafund dhe se ke akoma shumë për të jetuar. Ti mund tutje të besosh se je akoma i ri, se bota dhe mundësitë e pakufishme të gjunjëzohen dhe se ti, mund të arrish çdo gjë që ke ndërmend.
Ose bëji vetes të qartë, se koha jote nxiton të ikë dhe të rrëshqet nga duart me një shpejtësi vdekjeprurëse dhe sigurisht, së shpejti, do ta pyesësh veten: „Si u tret vallë ajo kohë edhe pse pata aq shumë?!“
Pa marrë parasysh sot, nesër apo pas 50 viteve, duhet të pranosh me vetëdije të plotë se di do të vdesësh. Kjo jo vetëm se të largon frikën nga vdekja, mirëpo edhe të nxit ta shfrytëzosh jetën në mënyrë të vetëdijshme, t’i realizosh ëndrrat Tua dhe ta shijosh çastin.
3. Njerëzit janë të ndryshëm
Ky fakt mund të jetë si një burim për çështje të tmerrshme, si diskriminimi dhe racizmi. Njerëzit që kurrë nuk pranojnë me vetëdije të plotë, se njerëzit janë të ndryshëm, ata pa u menduar, u nënshtrohen paragjykimeve negative; kanë ide mohuese për njerëzit tjerë duke u dhënë shumë rëndësi atyre qëndrimeve.
Prandaj, pyete veten, i pranon njerëzit në mënyrë të plotë ashtu si janë apo jo? Përvojat në të kaluarën mund të ndikojnë që ne të kemi qëndrime paragjykuese për njerëzit tjerë. Qëndrimet negative paragjykuese mund të krijohen edhe nga përvoja me njerëz të një origjine të caktuar, për të cilët pastaj kultivohen ide dhe ndjenja negative gjithëpërfshirëse, madje, kundër krejt njerëzve të asaj origjine.
E vërteta është kjo: Asnjë njeri nuk është si tjetri dhe detyrë e jotja, është ta pranosh këtë fakt.
4. Nuk beson çdo njeri në atë që Ti beson
Ky fakt ndërlidhet me faktin numër tre, mirëpo meqenëse kjo e vërtetë sipas mendimit tim është shumë e rëndësishme, po e trajtoj në një pikë të posaçme. Dallimet fetare shkaktojnë vuajte të tmerrshme si gjenocid, urrejtje ndërmjet popujve, terrorizim dhe luftë. Kjo ndodh për arsye se akoma miliona veta nuk janë të gatshëm të pranojnë njerëzit tjerë me besimet e tyre në mënyrë të plotë.
Më lejo ta sqaroj këtë: Aty është fjalë për më shumë se një religjion apo besim fetar. Çfarë dua të them? Dua të them se Ti, duhet të pranosh këndvështrimin e tjetrit dhe pranoi edhe nëse nuk përputhen me bindjet Tua.
Mos lejo që ndjenjat negative si tërbimi, zemërimi apo urrejtja, të fitojnë mbi ty, vetëm pse njerëzit tjerë, shohin gjërat ndryshe prej teje.
5. Nuk ekziston vetëm dashuria, por edhe urrejtja
Ky fakt është si pasojë e pikës tre dhe katër. Kur njerëzit nuk pranojnë parimet e të tjerëve, shpesh shprehet ai qëndrim në formë të urrejtjes. Dhe jo vetëm urrejtje. Urrejtja mund të burojë edhe nga shumë fenomene tjera, si: lakmia, injoranca, smira, xhelozia dhe emocione të ngjashme
Pra, urrejtja është e pranishme në këtë botë, si edhe dashuria. Mjafton të ndizet televizori në mbrëmje dhe t’i shtrohet vetes kjo pyetje: Për çfarë arsye vallë ndodhin tragjedi kaq të mëdha në këtë botë? Pse vallë këta njerëz bëjnë vepra e të tilla?
Përgjigja është se në këtë botë, nuk ekziston vetëm dashuria, por edhe urrejtja. Ka qenë gjithmonë dhe sigurisht do të jetë gjithmonë.
Detyrë jotja nuk është ta luftosh urrejtjen në botë, por t’i japësh në jetën tënde sa më pak mundësi dhe sa më pak hapësirë. Kur të shfaqen para teje njerëz me urrejtje, mos iu përgjigj me urrejtje. Pranoje atë dhe vazhdo jetën tënde.
„Ji i ndershëm me njerëzit e pandershëm, sepse posaçërisht ata kanë nevojë për ndershmëri!“
6. Problemet nuk zhduken kurrë
Bindja më e përhapur kur bëhet fjalë për problemet, është se ata janë shqetësues, të mërzitshëm dhe se duhet t’u ikim sa të jetë e mundur .
Problemet janë katastrofë. Së paku kështu mendon shumica. Nëse edhe Ti mendon kështu, atëherë pa nevojë, rëndon jetën tënde, por më beso, kur të them se problemet në jetë, nuk përfundojnë kurrë!
Pa dyshim, problemet mund të ndryshojnë në madhësinë e tyre, mirëpo tërësisht nuk zhduken kurrë. Vetëm me to rritemi dhe bëhemi më të fortë, më të mirë, se sa që jemi sot.
Prandaj, prano faktet, se në horizont herë pas here do të shfaqen shtrëngata dhe mos i prano problemet si probleme, por pranoi si sfida brenda të cilave mund të rritesh.
7. E kaluara jote
Një rrugë e garantuar për jetë fatkeqe dhe pakënaqësi, është të jetuarit në të kaluarën. Shumë njerëz rrënojnë të tashmen dhe të ardhmen, sepse nuk janë në gjendje të shkëputen, të lirohen nga e kaluara. Ata nuk arrijnë t’i pranojnë dhembjet, ngjarjet negative, ose përvojat dhe të shikojnë para.
Pa marrë parasysh se çfarë ka ndodhur në të kaluarën, është e kaluar dhe mund të ketë në të tashmen vetëm efektin dhe domethënien që ti i mundëson!
Këtu nuk mendohet në harrimin e të së kaluarës, as mohimin jo, por duhet vetëm mësuar nga ajo dhe t’i vihet një vizë përfundimtare në çastin e tanishëm dhe të niset një jetë e re.
8. Rrethanat e tua
Është shumë e thjeshtë dhe shumë komode që faji për dështimet t’u hidhet rrethanave.
Madje vëmëi në përdorim edhe mekanizmat me fjalën e gatshme „Mirëpo“
„Unë gati kisha sukses, MIRËPO erdhi kriza ekonomike!“
„Unë desha të merrem me sport, MIRËPO nuk gjeta njeri që stërvitet me mua!“
Sigurisht ke vënë re se dështaket tërë jetën e tyre ankohen për rrethanat dhe nuk ndryshojnë gjë. Fituesit në anën tjetër, pranojnë rrethanat e çastit dhe krijojnë rrethana që u nevojiten.
Nëse herën tjetër nuk ke sukses, nëse projekti nuk ecën sipas planit – pa marrë parasysh arsyet- dhe je para atij çasti kur dorëzohet njeriu, rikujto këtë fakt.
Prano rrethanat e çastit dhe gjeje një rrugë për t’i ndryshuar, nëse dëshiron të jesh fitues. Mos bëj asgjë tjetër nëse dëshiron të ankohesh përgjithmonë dhe të jesh dështak i përjetshëm!
9. Njerëzit do të flasin dhe gjykojnë për ty apo për atë çfarë Ti bën
Pa marrë parasysh a është në pyetje smira, xhelozia, injoranca, ose thjeshtë budallallëku, të gjithë ne do të takojmë njerëz të cilët pa asnjë arsye na gjykojnë. Ata, edhe pse nuk na njohin fare, ose nuk kuptojnë fare atë çfarë ne bëjmë, reagojnë menjëherë negativisht dhe përpiqen të na paraqesin si njeri të keq.
Njerëz të trashë nga mendja ka pasur gjithmonë dhe do të ketë gjithmonë. Mirëpo shpesh është fatale sepse ata faktikisht ia dalin t’u humbin sigurinë njerëzve me sulme dhe të rrënojnë ëndrrat dhe synimet e tyre.
Kur ndodhesh në këtë gjendje, kujto faktin 4, ajo se çdo njeri nuk beson atë që beson Ti. Le të mendojë ata si të duan. Ai mendim është i tyri, jo yti. Nëse lumturia jote varet nga mendimi i tjerëve, atëherë qysh tash, Ti ke humbur!
10. Ti duhet të marrësh vendime të vështira dhe duhet të jetosh me pasojat
Shumë njerëz vuajnë nga frika për të marrë vendime dhe as nuk din çfarë kuptimi ka ajo fjalë.
Këta njerëz nuk ecin kurrë para në jetë, sepse ata kanë shumë frikë të marrin vendime! Është e vërtetë se disa vendime të marra në të kaluarën ishin të vështira dhe je përballur me to, por me të tilla, do të përballesh edhe në të ardhmen. Këtu nuk ka asnjë dyshim.
Nëse Ti tani pranon se vendime të tilla janë pjesë e jetës dhe prej tyre nuk mund të ikësh, herën tjetër, kur duhet të marrësh një vendim, do të reagosh më i qetë dhe më i përqendruar dhe nuk do të biesh në panik, sa të kapësh kokën me dy duar.
Fjala e fundit
Në fillim të këtij artikulli kërkova prej teje të marrësh një minutë kohë për të menduar në mënyrë serioze për këto dhjetë fakte dhe kështu, të arrish te paqja jote: t’i pranosh të vërtetat në mënyrë të plotë dhe të çlirohesh prej fakteve që torturojnë, por nuk mund të ndryshohen.
Ky është proces, i cili ka nevojë për një kohë të caktuar, por ty do të të ndihmojë që në të ardhmen, problemet dhe brengat, t’i përballosh më lehtë dhe të lirohesh prej tyre. Nisja me këto 10 pika. Thjesht në ditët e ardhshme përsërit në mendje herë pas here dhe merru me këto mendime dhe emocione.
Vetëm duke menduar në këto fakte bazë, ky artikull mund të arrijë efektin e dëshiruar. Mos i prano ashtu thjesht pa i analizuar ato thellë. Përdori këto për ta bërë nga vetja një njeri të ri dhe më të fortë. Shfrytëzo potencialin tënd!
Nga gjermanishtja:
Lis Bukuroca