Dorina Gegici është, pa dyshim, një nga modelet më të bukura të Shqipërisë.
Atë e kemi parë shpesh të jetë figura e shumë fustaneve të nusërisë dhe jo vetëm. Së fundmi ajo ka lidhur kontakte edhe me firmën prestigjioze “Dolce&Gabbana” në Itali. Në një intervistë për “Summer Pages” të “Gazeta Shqiptare”, Dorina na tregon për eksperiencat e saj si modele në setin më të fundit fotografik në një nga vendet më të bukura të Italisë, Caprin. Dorina gjithashtu ka folur edhe për planet e saj për të ardhmen. Nuk mund të mos mungojë në intervistë edhe eksperienca e saj në Cannes, ku ka qenë pa dyshim një ndër më të veçantat, nën praninë e figurave të shumta hollivudiane.
Dorina, sapo jeni kthyer nga Capri, në një eksperiencë tepër mbresëlënëse. Si do ta përshkruanit këtë eksperiencë?
Capri është një nga vendet më piktoreske. Më vjen mirë që zgjodhëm Caprin për të shpalosur këto bukuri. Nëpërmjet setit fotografik kemi arritur të bëjmë një gërshetim mes ekzotikes së vendit dhe klasikes së fustaneve të nuseve.
Pse zgjodhët Caprin?
Zgjodhëm Caprin si një destinacion të afërt, por edhe si një vend i pazbuluar. Duke qenë se është një vend mbresëlënës, që fsheh bukuri përrallore, ne vendosëm të sjellim setin tonë më të ri për të qenë sa më pranë shqiptarëve. Nuk është seti i parë fotografik që bëjmë buzë detit. Dua të them që, ne shumë shpesh kemi zgjedhur edhe Shqipërinë, kemi sjellë disa nga pikat më të bukura të saj. Besoj se ka ardhur momenti që modelet e fotografët të sjellin për publikun shqiptar edhe destinacione të huaja.
Sa paguhet një modele?
Unë kam dëgjuar modele që në deklaratat e tyre paguhen mijëra dhe që mbahen me këtë profesion. Atëherë më lejoni të them që nuk është kështu. Në Shqipëri modelingu nuk paguhet shumë, madje ka modele që janë edhe të varfra. Por çështja ndryshon kur ti bën sfilatë jashtë vendit apo paguhesh mirë për sete fotografike. Prandaj nëpër botë modelet janë ndër femrat më të pasura. Ndërsa në Shqipëri nuk vlerësohet sa duhet një modele, sidomos ato profesionistet. Do të shtoja edhe diçka tjetër që funksionon keq këtu, që, si një amatore ashtu edhe një profesioniste paguhen njësoj për një sfilatë.
Në fakt, sa paguhet Dorina?
Në fakt, varet se sa kohë punon për një projekt, varet se çfarë kërkon ai që të kontakton. Çmimet më të mira janë për sete, sidomos kur flasim për shumë foto. Kompanitë e mëdha paguajnë edhe më tepër për të të pasur imazh të tyrin, duke lidhur një kontratë 1 ose disavjeçare.
A e ke menduar ndonjëherë ndonjë profesion tjetër?
Në fakt, tani që po ma thoni ju po e mendoj një profesion tjetër veç modelingut. Që e vogël kam ëndërruar të jem modele. E di shumë mirë që këtë profesion nuk do ta bëj gjithë jetën, megjithatë, për sa kohë kërkohem dhe kujdesem për veten, besoj se do ta bëj. Në një moment të dytë, kur të mos kem më moshën dhe format e duhura për modele, do të filloj të mendoj për një profesion të dytë.
Për çfarë konkretisht?
Besoj se gjithnjë do ketë lidhje me fashion, me modën, me pasarelat. Ndoshta do të kaloj në diçka organizative, ndoshta mund të kem një agjenci timen me modele. Mbase mund të mësoj brezat e rinj si të bëhen modele profesioniste.
Morët pjesë në një nga festivalet më të lakuara të momentit, në festivalin e Cannes. Mund të na thoni eksperiencën tuaj aty? Si u ndje Dorina?
Ishte një eksperiencë shumë e veçantë. Festivali bëri edhe një herë bashkë emrat më të njohur të Hollywood-it të mbarë botës. Isha shumë e lumtur që isha pjesë e këtij festivali. Pashë që kishte njerëz që më njihnin dhe më vlerësonin edhe pse vija nga një vend i vogël. Kanë qenë të shumta edhe figurat e njohura që në formën e komplimentit më përshëndetën. Krijova kontakte të reja, dhe shpresoj shumë që së shpejti të kem ndonjë kontratë jashtë Shqipërisë, megjithatë për momentin nuk ka asgjë konkrete.
Ka pasur ndonjë VIP që të ngacmoi gjatë festivalit?
Në fakt atje nuk është se funksionon kështu; më shumë sesa ngacmime, ishin në formën e mirësjelljes. Sepse jashtë, kur i thua një femre që ‘je shumë e bukur’, e marrin për kompliment, jo për ngacmim. Dhe unë u ndjeva mirë që mora vlerësimin e disave prej tyre, dhe mbi të gjitha kur kishin të bënin me fushën time, që do të thotë, sipërmarrës agjencish, agjentë modelesh etj.
Ndonjë konkretisht?
Nuk besoj se emrat do të përbënin ndonjë sensacion, sepse thashë që ishin në formën e komplimentit dhe jo në formën e “gjuajtjes”, ose ngacmimit, siç themi ne këtu në Shqipëri.
A ke menduar ndonjëherë të largohesh nga Shqipëria dhe ta vazhdosh karrierën tënde jashtë vendit?
Në fakt e kam menduar disa herë, por akoma nuk ia kam marrë të gjitha gjërat Shqipërisë, kështu që më duhet edhe pak kohë këtu që të prek majat, pastaj të investoj për jashtë, gjithsesi jam e hapur ndaj kontratave që më vijnë, ndaj ftesave që marr. Unë punoj me emra të njohur në botën e modës jashtë vendit, megjithatë preferoj të qëndroj këtu dhe për pak kohë, sa të afirmohem edhe në tregun ndërkombëtar.
Si është jeta private e Dorinës?
Jeta private është shumë e bukur. Jam rrethuar nga shumë dashuri. Kam njerëz që më duan shumë, kam talentin dhe fansa që më ndjekin dhe komplimentojnë. Kjo është jeta ime private.
Ndonjë mashkull specifikisht?
Preferoj të flas për dashurinë që kam për profesionin momentalisht, dhe besoj kjo është ajo çka ngjall interes.
A ke menduar të jesh pjesë e televizionit, moderatore apo aktore?
Në fakt, kjo pyetje është shumë e bukur. Kam marrë disa ftesa, megjithatë personalisht nuk më pëlqejnë shumë femrat që tentojnë të bëjnë çdo gjë, edhe pse nuk dinë t’i bëjnë shumë mirë. Siç e thashë pak më lart, mua më duhet akoma kohë që të afirmohem në tregun e modelingut, që të zhdërvjelltësohem në të folur dhe elokuencë, kështu që për momentin nuk është në planet e mia të afërta. Edhe pse duhet thënë që ftesa kam marrë disa.
Ju shikojmë gjithnjë shumë në formë. Cili është sekreti i bukurisë së Dorinës?
Do të thosha që, mbi të gjitha janë genet dhe bukuria është e trashëguar. Gjithashtu, si modele që jam, kujdesem shumë për veten, kujdesem për ushqimin, bëj shumë palestër, kujdesem që të fle mirë e të mos abuzoj me pijet alkoolike apo cigarette. Gjithnjë bashkëpunoj me stafin më të mirë, makeup artist Suela Cangun dhe fotografin më të mrekullueshëm Endrit Mërtiri.
Ku do t’i bëjë pushimet Dorina këtë verë?
Besoj se kjo verë, si gjithë verat e tjera, do të jetë e alternuar mes punës dhe pushimeve. Përpiqem që kudo që shkoj për punë të bëj edhe disa ditë relaks, megjithatë më pëlqejnë shumë udhëtimet, kështu që e sigurt që do të kaloj disa ditë në jug të vendit dhe jashtë Shqipërisë.
Të kemi parë shpesh që reklamon koleksionin “Dolce & Gabbana”. Endriti ka një marrëdhënie pune me ta, po Dorina?
Në fakt ne kemi disa projekte. Unë kam pasur disa komunikime me ta, megjithatë mbetet për t’u parë në një të ardhme.