Shkrimtarët e pakënaqur nga ekranizimi i librave të tyre
1. P.L. Travers – “Meri Popins”
“Meri Popins” me siguri ka lënë shenjë në fëmijërinë e të gjithëve, por autorja P.L. Travers ishte më shumë se e pakënaqur nga filmi. Editimet e saj nuk u morën parasysh në skenar dhe, sipas saj, “Disney” i bëri goxha ndryshime personazhit kryesor. Premierën e filmit, Travers, atë kohë 65 vjeç, e kaloi duke qarë dhe nuk i lejoi producentët e filmit të preknin vazhdimin e serisë së shkruar prej saj.
2. Anne Rice – “Intervistë me vampirin”
Anne Rice u inatos që gjatë audicioneve, kur mësoi se Tom Cruise do të ishte aktori që do të interpretonte vampirin Lestat. Zgjedhja e kastit, sipas saj, ishte e papërshtatshme dhe Rise nuk e kurseu ta bënte publik mendimin e saj. Megjithatë, pas daljes së filmit, Rice, ashtu sikurse edhe një pjesë e mirë e publikut dhe kritikëve, kuptoi se Cruise nuk ishte vetëm ai aktori i filmave aksion dhe romantik dhe se interpretimi i tij ishte impresiv.
3. Winston Groom – “Forrest Gump”
Mbani mend: Mos e zemëroni autorin para se të dalë vazhdimi i librit! Pavarësisht se filmi ishte një sukses i vërtetë dhe fitues i disa çmimeve, autori ishte i pakënaqur me mënyrën se si Hollivudi trajtoi historinë, duke “hijeshuar” gjuhën. Librin e dytë, autori Winston Groom e nisi me shprehjen: “Mos lejoni askënd të bëjë film historinë e jetës tënde!”.Askush nuk mund ta fajësojë Groom në fakt. Përveçse nuk u pagua sipas kontratës, sepse, sipas prodhuesve, filmi nuk rezultoi i suksesshëm në kinema, emri i tij nuk u përmend në asnjë nga 6 fjalimet që u mbajtën gjatë fitimit të 6 çmimeve “Oscar” nga kasti i filmit.
4. Roald Dahl – “Çarli dhe fabrika e çokollatës”
Mund të duket e çuditshme, por Roald Dahl e urreu version në film të “Çarli dhe fabrika e çokollatës”. Sipas tij, aktorët ishin të dobët dhe regjisori pa talent. Dahl u betua se asnjë producent filmi nuk do t’i prekte më librat e tij, të paktën sa të ishte ai gjallë. Dhe kështu ndodhi.
5. Clive Cussler – “Sahara”
Seritë librave të Cussler kanë një grup ndjekësish besnikë. Themi me bindje se asnjëri prej tyre nuk e pëlqeu variantin në film të “Saharasë”.
Filmi i luajtur nga aktorët ë njohur Matthew McConaughey dhe Penelope Cruz ishte në fakt një dështim total në kinema, duke fituar vetëm 68 milionë dollarë ndërsa kushtoi plot 145 milionë. Shkrimtari akuzoi shtëpinë prodhuese për dështimin, pasi sipas tij nuk i kishin dhënë liri të ndërhynte në skenar, ashtu siç i ishte premtuar./botimeshqip/