Intervistë me Jorge Luis Borges-in

Intervistë me Jorge Luis Borges-in

Arti i çliruar nga koha

Para se të fillojmë bisedën, po sjell përgjigjen e Borgesit ndaj çështjes mbi vendin që do të duhet të zinin arti dhe letërsia në epokën tonë, të formuluar në një bisedë të mëparshme.

Jorge Luis Borges: Arti dhe letërsia… do të duhet të përpiqeshin për t’u çliruar nga koha. Më kanë thënë shumë herë se arti varet nga politika ose historia. Jo, unë besoj se kjo është e krejt e rremë.

Sigurisht.

Jorge Luis Borges: Një ditë, Whistler, piktori i famshëm amerikanoverior, merrte pjesë në një mbledhje ku kuvendoheshin kushtet e veprës së artit. Për shembull, ndikimi i biologjisë, mjedisit, historisë bashkëkohore. Atëherë Whistler tha: “Art happens”, arti ia beh, arti ndodh, domethënë, arti… është një mrekulli e vogël.

Pikërisht.

Jorge Luis Borges: E cila i shpëton, në një mënyrë apo tjetër, shkakësisë së organizuar të historisë. Që arti t’ia behë – apo mos t’ia behë -, kjo varet vetëm nga artisti.

Një diçka tjetër për të cilën nuk flitet, për të cilën nuk mendohet, Borges, përveç frymës, është dhe bukuria. Është e çuditshme se, këto kohët e fundit, as artistët dhe as shkrimtarët nuk flasin për atë çka e cila ka qenë gjithmonë, si e ashtuquajtur frymëzim apo synimi i tyre, domethënë bukuria.

Jorge Luis Borges: Tekefundit, kjo fjalë është vjetëruar ndoshta, por koncepti jo; në fakt, çfarë synimi ka arti në mos bukurinë? Dhe, edhe pse fjala bukuri nuk është e bukur ndoshta, fakti është i tillë pa asnjë dyshim.

Po. Por në shkrimin tuaj, në poemat tuaja, në novelat tuaja…

Jorge Luis Borges: Unë përpiqem të shmang atë çka quhet “feismo” (shija e së shëmtuarës), që më duket e tmerrshme, por ka pas aq e aq lëvizje letrare me emra të tmerrshëm. Për shembull, në Meksikë, ajo lëvizje e cilësuar me një emër të përbindshëm: stridentizmi (lëvizje letrare dhe grafike e lindur në Meksikë në vitet ’20. Stident është term freng që do të thotë: e mprehtë, çjerrëse, klithmë, kërcëllimë etj). Përfundimisht, zëri është shuar, çka kjo ishte gjëja më e mirë për t’u bërë. Të duash të jesh zëçjerrë, sa e besdisshme duhet të jetë, apo jo? Miku im Manuel Maples Arce e drejtoi këtë lëvizje kundër një poeti të madh: Ramon Lopez Velarde. Ai e drejtoi këtë lëvizje stridentiste, dhe më kujtohet libri i tij i parë i cili, sigurisht, pa as hijen më të vogël të bukurisë, titullohej Skela të brendshme, çka kjo është tejet e parehatshme, apo jo? (Borges qesh.) Më kujtohet vetëm një varg, dhe që thoshte: “Dhe në të gjitha gazetat, dikush me verdhëz ka vrarë veten”, i vetmi varg që më kujtohet, dhe ndoshta bëhet fjalë për një harresë të përshpirtshme, sepse nëse ky varg do të ishte më i miri i librit, ai nuk të bën të presësht ndonjë gjë të madhe nga pjesa tjetër. E kam takuar mjaft vite më pas në Japoni – besoj se ka qenë ambasador i Meksikës në Japoni – dhe atje ai harroi jo letërsinë, por letërsinë e tij, çka nuk do ta pengojë të mbetet në historitë e letërsisë – të cilat përfshijnë gjithçka – themelues i stridentizmit (ata qeshin); vullneti për të qenë zëçjerrë, një nga format më të pakëndshme të letërsisë.

Tani që ne flasi për bukurinë, do të doja t’ju pyes mbi diçka që më ka tërhequ gjithmonë vëmendjen: Platoni thotë se ndr të gjitha qeniet e përkryera, të mbinatyrshme, e vetmja e dukshmja mbi Tokë, e vetmja e shfaqshme, është bukuria.

Jorge Luis Borges: Po, por e shfaqshme përmes gjërash të tjera.

Të kapshme nga shqisat.

Jorge Luis Borges: Nuk e di nëse janë të kapshme nga shqisat.

Kështu thotë Platoni.

Jorge Luis Borges: Nga këtej, unë duhet të nënkuptoj se bukuria e një vargu duhet të kalojë nga veshi, dhe bukuria e një skulpture nga prekja dhe shikimi. Por këto janë mjete, asgjë më tepër. Unë nuk e di nëse ne e shohim bukurinë apo nëse bukuria na mbërrin përmes formash që mund të jenë foljore, skulpturale apo dëgjimore në rastin e muzikës. Dhe kjo është arsyeja, besoj unë, që ne mund të shpjegojmë se, në muzikë, forma dhe thelbi mpleksen me njëri-tjetrin. Domethënë, ne mund të tregojmë argumentin e një rrëfimi – padyshim, duke e tradhtuar – apo argumentin e një romani, por ju nuk mund të tregoni argumentin e një melodie, sado e thjeshtë të jetë ajo. Stevenson ka thënë – por unë besoj se kjo është një gabim – se një personazh letrar nuk është gjë tjetër veçse një vazhdë fjalësh. Kjo është e vërtetë, por në të njejtën kohë, duhet që ne ta ndjejmë si diçka që nuk është një vazhdë e thjeshtë fjalësh, është e nevojshme që ne të besojmë në të, më duket mua.

Në njëfarë mënyre, është e nevojshme që ai të jetë i mirëqenë.

Jorge Luis Borges: Po, sepse nëse ne e ndjejmë një personazh si një vazhdë fjalësh, ky personazh nuk është krijuar me dëshirë, me vetëdije. Për shembull, kur bëhet fjalë për një roman, ne duhet të besojmë se personazhet jetojnë përtej asaj çka autori tregon për ta. Nëse ne mendojmë një personazh çfarëdo, një personazh romani apo drame, ne duhet të mendojmë se ky personazh – në çastet kur ne nuk e shohim – fle, ëndërron, përmbush detyra të tjera. Përndryshe, ai do të ishte krejt i paqenë për ne.

Sigurisht. Një fjali e Dostojevskit më tërheq vëmendjen po aq sa edhe ajo e Platonit. Në lidhje me bukurinë, ai thotë: “Në bukurinë, Zoti dhe djalli luftojnë njëri-tjetrin dhe fushëbeteja është zemra e njeriut”.

Jorge Luis Borges: Kjo është e njejta fjali me atë të Ibsenit: “Jeta është një luftim me djallin në skutat e trurit, dhe poezia është fakti i festimit të gjykimit të fundit mbi vetveten tonë“. Ka njëfarë ngjashmërie, apo jo?

Po, ka. Kurse Platoni, i mvesh bukurisë një fat, një mision. Dhe Murena thotë se bukuria mund të përcjellë një të vërtetë jashtë botës.

Jorge Luis Borges: Dhe unë mendoj që nëse ajo nuk e përcjell këtë, nëse ne nuk e kapim si një zbulim përtej asaj çka na japin shqisat, ajo është e kotë. Por unë besoj se kjo ndjenjë është përhapur gjithandej. Kam vënë re se njerëzit janë të aftë të sajojnë fjali poetike që ata nuk dinë t’i vlerësojnë. Për shembull, nëna ime, pikërisht ajo, fliste me kuzhinieren e njërës prej kusherirave tona, dhe kuzhinierja i thotë, krejt e pavetëdijshme që po shqiptonte një shprehje letrare: “Por Zonjë, për të vdekur, mjafton të jesh gjallë“. Mjafton… dhe ajo nuk dyshonte aspak se ishte duke shqiptuar një fjali të paharrueshme. Më vonë, e kam përdorur këtë fjali në një novelë. “Nuk duhet asgjë më tepër sesa të jesh gjallë“, nuk duhet asgjë më shumë, nuk ka kusht tjetër të nevojshëm për të vdekur, ky kusht mjafton, dhe është i vetmi. Mendoj se njerëzit shqiptojnë vazhdimisht fjali të paharrueshme por nuk e kuptojnë këtë. Dhe funksioni i artistit është ndoshta t’i mbledhë këto fjali dhe t’i ruajë. Sidoqoftë, Bernard Shaw thotë se pothuaj të gjitha fjalitë e zgjuara janë fjali që i ka dëgjuar rastësisht. Por kjo ndoshta është një fjali tjetër e zgjuar, ose një modesti nga ana e Shaw.

Në këtë rast, shkrimtari do të ishte bashkërenduesi i madh i gjenisë së të tjerëve.

Jorge Luis Borges: Po, le të themi një shkrues i të tjerëve, një shkrues i aq e aq mjeshtrave. Ndoshta është më i rëndësishëm shkruesi sesa shpikësi i fjalisë.

Një kujtesë individuale e bashkësisë.

Jorge Luis Borges: Po, kjo ështëë, pikërisht kjo.

Intervistoi: Osvaldo Ferrari
Marrë nga libri: “Biseda me Jorge Luis Borges”, Shtëpia botuese Tirana Times.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *