UNT shpall konkurs për punësimin e 43 profesorëve dhe 20 administratorëve

UNT shpall konkurs për punësimin e 43 profesorëve dhe 20 administratorëve

Vitin akademik 2017 – 2018, Universiteti “Nanë Tereza” do ta fillojë me staf të kompletuar.

Ministria e Arsimit ka dhënë pëlqim për punësimin e 43 pedagogëve dhe 20 administratorëve. Konkursi do të hapet më 3 gusht për stafin e pedagogëve dhe më 4 gusht për administratën.

Rektori i këtij universiteti, Aziz Pollozhani, beson se me kompletimin e stafit prej 84 pedagogëve me marrëdhënie të rregullta pune dhe 20 profesorë të angazhuar me “par tajm”, Universiteti “Nënë Tereza” nis një rrugë të mbarë për një bazë të fuqishme për sukses.

“Mendoj që universitetit tonë definitivisht i nis një rrugë e mbarë dhe një bazë e fuqishme për sukses. Duke shtuar faktin që në këtë ndërtesë ku jemi kemi siguruar katër nivele që i përgjigjen 2 mijë m2 sipërfaqe aktive dhe jemi në përfundim e sipër të amfiteatrove të hapësirave për mësim dhe kompletimin e katër laboratorëve. Kur të merret në tërësi, mund të themi se UNT fillon rrugëtimin e vet me një fillim të konsoliduar dhe që garanton mësim në kushte adekuate që do të vijnë duke u rritur”,- deklaroi rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani.

Këtë vit akademik Universiteti “Nënë Tereza” ka akredituar 22 programe arsimore, të cilat u përgjigjen kërkesave të tregut të punës, ndërsa këtë vit ka edhe drejtime të reja.

“Kemi përveç punëtorëve socialë, edhe gerantologji. Në shkencat politike kemi studime evropiane, studime euroaziatike dhe media dhe komunikim ndërkulturor që janë në këtë grup. Mandej kemi sport dhe shkenca sportive si një risi për Shkupin dhe ambientin në përgjithësi, kemi administrim publik dhe menaxhim me resurse njerëzore që janë pjesë e shkencave sociale, me çka mendoj që oferta jonë përmbush nevojat thelbësore dhe besoj edhe me nevojat e tregut të punës”,- u shpreh rektori, Aziz Pollozhani.

Këtë vit akademik në Universitetin “Nënë Tereza” do të mund t’i ndjekin studimet 1580 studentë. /TVM2/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *