Lojtarët e Shkëndijës në kor: Nuk kemi asgjë për të humbur

Lojtarët e Shkëndijës në kor: Nuk kemi asgjë për të humbur

Shkëndija e Tetovës është në Milano dhe sot para gazetarëve kanë dalë tre futbollistë të kësaj skuadre: Ardian Cuculi, Armend Alimi dhe Kostadin Zahov.

Të tre kuqezinjtë tetovarë kanë folur me respekt për Milanin, pa bërë premtime të bujshme, duke e pranuar se tashmë nuk janë favoritë, por edhe mbërritja deri në play-off është një arritje e madhe për Shkëndijën, tashmë një klub me mentalitet evropian.

Normalisht kemi një sfidë të vështirë, është raundi i katërt “play-off” i Liga Europa. Dy vite me radhë po e bëjmë këtë hap, përsërisim këtë rezultat dhe nuk është kjo gjë rastësi. Dominimi ynë në ndeshjet e deritanishme të zhvilluara në kuadër të Liga Europa, fati ynë deshi që tash të ndeshemi me Milanin. Një skuadër që nuk do shumë fjalë, një skuadër me kualitet shumë të lartë në futbollin evropian. Ne këtu në Milano kemi ardhur për të prezantuar sa më mirë dhe në mënyrë dinjitoze futbollin e Maqedonisë dhe normalisht duke e dhënë më të mirën tonë dhe duke bërë që Shkëndija në këtë ndeshje të dalë sa më mirë. Nuk kemi gjë për të humbur, thjeshtë vijmë të bëjmë punën tonë dhe në fund të shpresojmë në një rezultat të mirë”, tha Ardian Cuculi.

Armend Alimi, i cili i shënoi Vardarit fundjavën e shkuar, foli shkurt: “Ne jemi këtu për lojën tonë, atë që dimë ta bëjmë më së miri. Varet edhe sa do të na jepet mundësia nga ana e kundërshtarit, mirëpo mendoj se kemi kualitet për të bërë një paraqitje dinjitoze edhe me Milanin”.

Portieri Zahov është shpreson te kundërsulmi: “Nuk kemi ardhur këtu me flamur të bardhë, nuk kemi se çka të humbim. Do të jemi nën presion, nuk guxojmë të bëjmë gabime, do të përpiqemi me kundërsulme të shënojmë gol”. /fax.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *