Mëmësia nuk i imponohet gruas, është zgjedhje e lirë e saj. – Anain Nin mbi të drejtën për abort

Mëmësia nuk i imponohet gruas, është zgjedhje e lirë e saj. – Anain Nin mbi të drejtën për abort

Anais Nin mbajti ditar nga mosha 11-vjeçare derisa vdiq. Çfarë të gjithë duhet të dinë për eseisten e njohur: ajo jetoi sipas rregullave të saj. Në moshën 20-vjeçare u martua me bankierin Hugh Parker Guiler, me të cilin vendosi të mbante një martesë të hapur. Në verën e vitit 1940, ndërsa ishte në një lidhje pasionante me një nga të dashurit e saj, Nin zbuloi se ishte shtatzënë, sipas saj me të shoqin. Në një gjendje të vështirë financiare dhe me një dashnor xheloz për lidhjen e Nin me të shoqin, ata vendosën ta abortonin fëmijën.

Ketë eksperiencë, Nin e përshkroi në një nga ditarët e saj.

 

“Arrita në 9:30. Më lidhën sikur të isha e çmendur, duar, këmbë e mes. Me të arritur, mjeku iu fut punës; e gjeti mitrën time me lehtësi dhe vijoi punën pa ua vënë veshin britmave të mia therëse. Në gjashtë minuta torture, gjithçka mbaroi.

Strukur në një shtrat portativ në cep të dhomës, një grua tjetër kapërceu pragun. Ndërsa gruaja bëri të zhvishej, infermierja tërhoqi perden që ndante shtretërit. Pastaj i tha asaj gruas të shtrihej dhe të qetësohej. Dhe doli.

Një pëshpërimë theu heshtjen:

– Si ishte?

E sigurova se nuk ishte shumë e vështirë: Imagjino, unë ia dola pa qetësues.

– Sa muajshe ishe? – pyeti gruaja e përtej perdes.

– 3 muajshe.

– Unë jam 2. Kam frikë. Im shoq është larg. Ai nuk e di. Dhe as nuk duhet ta dijë kurrë.

Heshta. Si mund t’i shpjegoja se im shoq e dinte, çështja ishte të mashtroja dashnorin, ta bëja të besonte se nuk kisha asnjë lidhje fizike me tim shoq. Mbledhur kruspull nga dhimbjet, kuptova se kurrë më parë nuk kisha ndjerë një lidhje kaq të fortë me një grua; po identifikohesha me dikë që as nuk mund ta shihja; me dikë të shtrinë në shtratin përtej, të kapluar nga frika primitive dhe ndjenja e fajit, e luftës së pandershme me natyrën, luftës së pabarabartë me ligjet e burrave për gratë. Ligje që na rrezikojnë jetën, na shtyjnë drejt papërvojës, duke na nënshtruar ekonomikisht, dënuar moralisht. Gruaja është në të vërtetë viktimë. Sa shumë janë thënë kundër ndalimit me ligj të abortit! Çfarë tragjedie bëhet për gruan ky incident! Pikërisht në atë moment ajo është një e përndjekur. Shoqëria e dënon atë, dënon edhe mjekun e saj.

Ajo grua më preku shumë! Doja ta njihja. Një moment bëra të tërhiqja perden dhe ta shihja, pastaj e kuptova: ajo ishte si të gjitha gratë, ajo ishte të gjitha gratë, me përvuajtjen, nënshtrimin, frikën e tyre. Çdo shtatzëni është konflikt për gratë. Ndarja nuk është e lehtë; po heq mish e gjak të trupit tënd. Shtoji kësaj konfliktin e brendshëm, frikën, zemërimin…

E megjikëtë, mëmësia është si çdo profesion. Si e tillë, mëmësia nuk i imponohet gruas, është zgjedhje e lirë e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *