Flet bashkëshorti i Hajrie Rondos: ”E harruan të gjithë, ja amaneti që më la”

Flet bashkëshorti i Hajrie Rondos: ”E harruan të gjithë, ja amaneti që më la”

“Po të lë amanet fëmijët. Ki kujdes për ta!”
Këto kanë qenë fjalët e fundit që aktorja e mirënjohur Hajrie Rondos i ka thënë të shoqit para se të ndahej nga jeta në moshën 66-vjeçare. Rondo, u shua në Himarë, në shtëpi, ndërsa pranë vetes kishte të bijën, Klean dhe të shoqin, Kiço. I prekur dhe i dobët, ai tha për “Gazetën Shqiptare” se “Ishte e ndërgjegjshme deri në çastet e fundit. Madje në mëngjes, rreth orës 9 më la disa porosi. Mu duk se e ndjeu. Tha që t’i kem kujdes fëmijët, ta nderojmë”. Aktorja prej muajsh vuante nga një sëmundje e rëndë, madje dy muaj më parë ajo i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje të vështirë. “Nuk u kujdes askush për të. E harruan të gjithë. E harroi edhe politika. Pati një ndërhyrje kirurgjike të vështirë kohët e fundit. Kush u kujtua për të? Askush!”, tha Kiço Rondo për “GSH”, mes trishtimit dhe pafuqisë. Kanë jetuar një jetë së bashku. Ai ka qenë pranë saj në ditët më të suksesshme të bashkëshortes, kur imazhi në skenë e ekran ngrihej bashkë me rolet ku shkëlqente, duke sjellë dritë në jetën e spektatorëve dhe shikuesve. Ishin bashkë deri në çastin e mbramë, kur frymëmarrjet e Hajries, u ndalësuan. “Unë do ta mbaj mend si grua të përkryer”, thotë Kiço Rondo, duke shtuar “Ju gazetarët mund të flisni më mirë se unë për të. Ju e keni njohur mbase edhe më shumë se unë. Bëjeni si të mendoni”.

Hajrie Rondo ka interpretuar afro 120 role në teatër dhe në 40 filma. Veçonte rolet te filmi “Nëntori i Dytë”, “Kur vdes në këmbë, “Petro Nini Luarasi” dhe “Një vit i gjatë”, ku ka rolin kryesor, rolin e një drejtoreshe dhe në filmin “Midis njerëzve”. Ishte 31 vjeçe, kur e interpretoi këtë rol në vitin 1982. Rolin e saj të parë në Teatrin Kombëtar e ka pasur te drama “Heronjtë e Linasit”, të Sulejman Pitarkës, që u vu në skenë në vitin 1972. Në qendër ishin dy heronjtë që u sakrifikuan në puset e naftës. Kishte rolin e gruas së heroit që u sakrifikua. Në atë kohë teatri sapo ishte krijuar dhe ajo ishte shumë e re, 21 vjeçe, por duhej të interpretonte, rolet e nënave të forta, të grave myzeqare dhe të grave malësore, pra të çdo treve. Ka interpretuar shumë role të bukura, por publiku më shumë e njeh te roli i “Tanës” te filmi “Përrallë nga e kaluara”.

\living.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *