Këshilla e fundit e Bertrand Russell

Këshilla e fundit e Bertrand Russell

Bertrand Russell (18 maj 1872 – 2 shkurt 1970) është filozof britanez, logjicient, matematicient, historian, shkrimtar, kritik shoqëror, aktivist politik dhe laureat i çmimit Nobel.

Në fillim të shekullit XX, Russell udhëhoqi “revoltën britaneze kundër idealizmit”. Konsiderohet si njëri prej themeluesve të filozofisë analitike se bashku me pararendësit e tij, Gottlob Frege, G.E. MOORE dhe studentin e tij, Ludwig Wittgenstein. Filozofia analitike është filozofi e cila mbështetet tek faktet shkencore dhe mohon çdo filozofi metafizike, e cila transcendon përvojën.

Krahas filozofisë, Russell është i njohur edhe si aktivist politik. Russell ishte kryesisht një aktivist i shquar kundër luftës si dhe mbështeti anti-imperializmin. Herë pas here, ai avokoi kundër një lufte të mundshme bërthamore dhe e mirëpriti me entuziazëm krijimin e një qeverie botërore. Gjatë Luftës së Parë Botërore, për shkak të qëndrimeve të tij pacifiste, përjetoi edhe burgun. Më vonë, Russell doli edhe kundër Adolf Hitlerit, po ashtu kritikoi totalitarizmin stalinist, sulmoi përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Vietnamit dhe ishte një përkrahës i hapur i çarmatimit bërthamor.

Në vitin 1950, Russell-it iu dha çmimi Nobel për Letërsi me motivacionin se “në shkrimet e tij të ndryshme dhe të rëndësishme përkrahu idealet humanitare dhe lirinë e mendimit”.

Në intervistën më poshtë dhënë për BBC në vitin 1959, që besohet të jetë e fundit, Russell jep këshilla nga me të ndryshmet, lidhur me të ardhmen e njerëzimit dhe për atë se si popujt mund të jetojnë në paqe.

“Dashuria është mençuri, urrejtja është marrëzi”, është këshilla e Russell për gjeneratat e ardhshme.

Më poshtë një pjesë e shkëputur nga kjo intervistë:

BBC: Çfarë mendoni se do t’ia vlente t’u thoni gjeneratave të ardhshme për jetën tuaj dhe mësimet që keni nxjerr nga ajo?

Bertrand Russell: “Dua të them dy gjëra, njëra intelektuale dhe tjetra morale. Pjesa intelektuale që duhet t’u them atyre është kjo: kur e studioni ndonjë fushë, qoftë ajo edhe ndonjë filozofi e caktuar, pyesni veten gjithmonë se cilat janë faktet dhe cila është e vërteta që këto fakte e mbështesin. Asnjëherë mos lejoni që të shmangeni qoftë nga ajo që dëshironi të besoni, qoftë nga ajo për të cilën mendoni se do të kishte efekte të dobishme sociale, nëse do të besohej. Por gjithmonë mendjen kijeni tek faktet, se cilat janë ato. Kjo sa i përket pjesës intelektuale.
Ndërsa pjesa morale që dua t’u them atyre është shumë e thjeshtë: Dashuria është mençuri, urrejtja është marrëzi. Në këtë botë, që po bëhet gjithnjë e më e ndërlidhur, ne, duhet të mësojmë të kemi tolerancë ndaj njeri-tjetrit. Duhet të mësohemi me faktin se disa njerëz thonë gjëra të cilat mund të mos na pëlqejnë. Vetëm kështu mund të jetojmë bashkarisht.

Prandaj nëse duam të jetojmë se bashku, dhe jo të vdesim se bashku, ne, duhet ta mësojmë një lloj bamirësie dhe një lloj tolerance, e cila është absolutisht jetike për vazhdimësinë e jetës njerëzore në këtë planet.”

\filozofia.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *