Barbana Dini: Do të rikthehem me zërin e Ergit!

Barbana Dini: Do të rikthehem me zërin e Ergit!

Ta bësh dhimbjen pjesë të trupit dhe të bashkëjetosh me të, por jo duke u bërë pre e saj, është forcë që rrallëkush e posedon. Por, këngëtarja shkodrane Barbana Dini, duket se gjeti forcën për t’iu rikthyer muzikës për hir të asaj që Ergi la në gjysmë e që ishte dashuria e tij më e madhe.

Ergi nuk pati fatin të vazhdonte rrugëtimin e tij shumë premtues në muzikë, sepse një aksident trafiku i mori jetën atij dhe shokut të tij Kejdi Halili, por motra e tij duket se pas një goditjeje të madhe që i bëri jeta, arriti të mbajë gjallë pasionin e përbashkët për muzikën  që kishin me Ergin dhe që i lidhi aq shumë me njëri-tjetrin apo i bëri siç thotë ajo “dy persona me një shpirt.”

E ftuar në emisionin e Rudina Magjistarit, Barbana rrëfen se sa e vështirë ka qenë për të që të pranojë fatin e hidhur e të mos lejojë që të pushtohet nga errësira që kaploi familjen e saj. Për të, tani e më tej, vazhdon të mbetet qëllim në vete që zëri i saj të thotë diçka dhe fjalët e saj të ngushëllojnë njerëz të tjerë të cilët si ajo vuajnë humbjen e dikujt dhe po si ajo, presin për një fjalë që do t’i ngushëllojë e do t’u japë forcë për të përballuar dhimbjen.

“Unë  kam qenë e do jem derisa të mbyll syte fansja e zjarrtë e Ergit, e asaj që ai kishte përbrenda, e asaj që do bënte dhe e asaj që bëri” – thotë Barbana, pushtuar nga emocionet.  Ajo rikujton ditët e bukura që si familje i kanë kaluar bashkë duke komentuar fotografi të vjetra kur Ergi ishte ende fëmijë dhe tregon se nuk ka asgjë për të cilën mund të pendohet, pasiqë ajo ia ka bërë çdo ditë të ditur Ergit se sa shumë e donte dhe sa shumë vlerë kishte ai për të.

Videoja e fundit që Ergi i dërgoi motrës së tij teksa shihet duke kënduar i shoqëruar nga kitara e tij, është dhurata që ai i kishte lënë pa e ditur se do të ishte edhe e fundit. Një orë përpara aksidentit të 21 nëntorit, Ergi kishte qenë me të dhe kjo e bën të pashpjegueshëm e të rëndë atë lajm që ra si thikë mbi zemrën e familjarëve, sidomos për faktin që ata e morën lajmin nga një gazetare e cila dëshironte të marrë konfirmimin e diçkaje që ata ende nuk e kishin ditur.

Përndryshe Ergi Dini ishte njëri nga zërat më të spikatur të skenës muzikore shqiptare dhe pritshmëritë për të ishin tërësisht të ndryshme nga skenari që jeta kishte rezervuar për të. Fituesi i X Factor Albania 3, kishte të realizuara tri këngë shumë të pëlqyera për publikun  si “Morfinë”, “Asnji gram” dhe “Pa frymë”, por la edhe disa materiale të tjera të papublikuara ende.  Artisti i ri e i  jashtëzakonshëm, që nuk arriti të prekë majat të cilat i synonte, vazhdon të mbetet ndër zërat më të mrekullueshëm dhe të pazëvendësueshëm të muzikës shqiptare… /BonZo/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *