Gratë e bukura sfiliten të gjejnë sekretin e sharmit tim.
Ngase s’jam e bukur ndoshta, e as ndonjë trup modeleje kam
dhe kur këto ua them atyre
mendojnë se tallem.
Them se
është në gjatësinë e krahëve,
në përdredhjen e vitheve të mia,
në ritmin e hapave,
në formën e bukur të buzëve…
Jam jashtëzakonisht femër!
Një femër fenomenale
jam unë.
Kur hyj në një dhomë,
aq qetë sa s’e merrni me mend
dhe një burri i afrohem,
të gjithë shtangin a bien në gjunjë
dhe sulen drejt meje-
një koshere e gëzueshme bletësh.
Them se
është prej zjarrit që më digjet në sy
dhe vezullimit të bardhë të dhëmbëve,
lëkundja e belit ndoshta
dhe hareja e këmbëve.
Oh, jam jashtëzakonisht femër,
një femër fenomenale.
Kjo jam unë.
Vetë burrat, sa herë janë habitur
ç’gjë i tërheq drejt meje…
Përpiqen kaq shumë,
por s’munden t’i afrohen dot
të fshehtës sime.
Edhe kur vetë ua rrëfej
prapë s’dinë ta prekin…
Them vjen
prej harkut të thellë të shpinës,
nga dielli i buzëqeshjes sime,
përhedhja e gjoksit a ndoshta,
nga hijeshia e stilit.
Oh, jam kaq e jashtëzakonshme,
një femër e mrekullueshme
jam unë.
Tani e kuptoni
se përse nuk kam nevojë të tund kokën,
të klith a të lëviz më kot,
a të flas me zë të lartë.
Nëse shihni që përmes kaloj
me krenari të thellë… Shijomëni!
Ju thashë, pra,
është në kërcitjen e takave të mia,
valëzimin e flokut,
në cipën e shndritshme të dorës,
në etjen për njeriun.
Sepse jam e jashtëzakonshme,
grua fenomenale –
ja, kjo jam unë.
Maya Angelou (1995)
/konica.al