Nga Helena Kadare
Sa ç’ishte i vrullshëm e plot përshtypje befasuese udhëtimi në Amerikë, aq i shtruar e romantik ishte një tjetër udhëtim, ai i Holandës.
…Në Amsterdam ne njohëm botuesin dhe njeriun e mrekullueshëm Japp Jansen, padronin e shtëpisë botuese Van Gennep dhe djem e vajza shumë të këndshme, që punonin për këtë shtëpi. Të gjithë ishin të dashur e plot humor, në kundërshtim të plotë me përfytyrimin tonë të gabuar se veriorët janë të ftohtë e timidë. Amsterdami vetë, mua që ndodhesha për herë të parë, më la pa mend me plantacionet e pafund të tulipanëve dhe me kanalet e tij lundruese, që e përshkonin qytetin kryq e tërthor. Por çudirat s’mbaruan me aq. Në një nga darkat në shtëpinë e Japp Jansen-it, u ndodha para një të papriture të re. Midis të ftuarve interesante, dallohej Hamleti i HOlandës, domethënë aktori më i mirë i Hamletit, që në atë kohë e kishin të gjihtë në gojë. Kur në çastin e parë të njohjes tha emrin Jupp, unë u hutova sepse mu duk i njëjti emër si i Jansenit. Të tjerët qeshën dhe thanë se të njëjtin hutim provonin të gjithë ata që vinin për herë të parë në këtë shtëpi. Japp dhe Jupp prej vitesh tingëllonin bashkë në mënyrë tepër familjare…
Surprizat në atë darkë s’do na ndaheshin. Darkën e kishte gatuar vetë botuesi, me një sqimë të veçantë. Për ta theksuar këtë ‘përkushtim’ të tij, ai s’pranoi të hiqte përparësen e amvisës deri në fund, duke shërbyer vetë edhe kafetë. Kur po bëheshim gati t’i pinim ato, vura re se të ftuarit po vështronin njëri-tjetrin në mënyrë pyetëse. Më në fund, Japp Jansen-i na u drejtua të dyve, Is dhe mua, për të na thënë se, ndonëse vinim nga një tjetër botë, ai shpresonte se ne do ta kuptonim drejt. Shkurt, ai na shpjegoi se në mbarim të darkës, ata, pra rrethi i miqve të tyre, e kishin për zakon të merrnin nga një cigare marihuanë, që e përgatisnin vetë. Po të donim mund ta provonim edhe ne, në rast të kundërt nuk besonte se do ndiheshim të fyer nga një doke e tillë, pakëz e mbrapshtë për mentalitetin tonë…
Jansen-i përdorte frëngjishten me një elegancë të rrallë. Të gjithë na i kishin ngulur sytë për të parë reagimin tonë. Unë, e prirur për të provuar gjithçka, në këtë rast shtanga. Gjithë ajo propagandë, gjithë ato nëma, me të cilat truri ynë ishte i superngarkuar nga vendi ku vinim, më frenonin. Kurse Is e çliroi gjendjen aty për aty me fjalët: “Për mua s’është problem. E kam provuar në Gjermani, madje më 1986, kur Shqipëria ishte ende komustie. Duke qeshur ai shpjegoi se një mik dhe njëkohësisht botuesi i tij gjerman, ia kishte gjetur, në kohën që ishte i ftuar për daljen e romanit të tij Dimri i vetmisë së madhe, në Gjermaninë Perëndimore.
Jansen-i bëri një humor të bukur për botuesin, marihuanën dhe librin ‘aq shumë serioz’. Pastaj ai m’u drejtua mua, me po atë përdorim frazash të zgjedhura, që dinte t’i përdorte aq mirë: “Chere Helene, besoj se do ta ndiqni edhe ju burrin tuaj në këtë mëkatim”.
Iu përgjigja pa mëdyshje. Për habinë time, pasi e thihta disa herë, tryeza ku ishim shtruar u ngrit e perpendikular para syve të mi. Vetëm kaq dhe një gjendje lehtësuse, si njeriu pasi ka pirë pak verë. Kurse unë prisja diçka më shumë se kaq. (Më pas më shpjeguan se efekti i saj është krejtësisht personal dhe, me sa dukej, nuk bëja pjesë tek ata që nuk përfitonin sa duhej nga kjo tymosje e këndshme!)Is, që, me sa dukej, e shijoi atë më mirë se unë, kërkoi pas pak një cigare të dytë.
Atmosfera e hareshme u bë shkas për një tjetër surprizë. Njëra nga gratë e ftuara, redaktore e shtëpisë botuese, bëri shaka me ermat Japp dhe Jupp, duke theksuar se ngjashmëria e tyre simbolizonte diçka…
Përsëri sytë e tyre u ngulitën mbi ne, ashtu si në rastin e marihuanës. Midis heshtjes së papritur, Jansen-i, me atë vështrimin e tij të kthellët prej njeriu tepër të qytetëruar, na u drejtua të dyve, duke thënë prapë se, ndonëse vinim nga bota komuniste, shumë gjëra s’ishin si ato të tyret, praseprapë, ndoshta, do të ishte mirë ta dinim se në ç’tryezë ndodheshim. Pa asnjë kompleks, duke i shoqëruar fjalët me atë vështrim të mrekullueshën, na shpjegoi thjesht se ai dhe Hamleti i Holandës prej pesëmbëdhjetë vitesh përjetonin një lidhje që ‘gjithë Holanda e dinte’.
Nuk më kishte shkuar mendja kurrë se, duke u ndodhur në një tryezë me dy homoseksualë të shpallur, nuk do të provoja në veten time kurrfarë droje e bezdie. Ata të dy, jo vetëm që s’pësuan asnjë cenim në sytë e mi, por vazhduan të ishin njëlloj si më parë: dy burra të shquar, plot talent dhe inteligjencë, e sidomos me një lidhje aq të gjatë e besnike.
Njohja e mëtejshme me Jansen-in, letërkëmbimi me të, takimet e shpeshta kur ai vinte në Paris e drekonim së bashku, do ta forconin gjithmonë e më tepër përshtypjen tonë admirative për të. Në një nga këto ardhje në Paris, ai më bëri suprizën e fundit: solli me vete disa kopje të romanit tim Një grua nga Tirana, që porsa e kishte botuar në Holandë.
Për shkak të botimit të vazhdueshëm të librave të Is, ai u lidh çuditërisht fort me Shqipërinë dhe shqiptarët. Kemi ende një letër tepër prekëse të tij dërguar nga Greqia, ku bashkë me mikun e vet kishin blerë një shtëpi dhe i kalonin pushimet verës. Në këtë letër ai na përshkruante plot emocione praninë e refugjatëve shqiptarë në fshatin ku banonte: “Njihen që larg, ecin zakonisht të zymtë, por kur unë iu them se jam botuesi holandez i I.K fytyrat u çelen. Pastaj vjen çasti të largohen dhe fytyrat prapë iu marrin atë shprehejn e parë”.
Ata të dy, Japp dhe Jupp, ishin kthyer gati gati në një legjendë në rrethet botuese intelektuale të Holandës. Kur në Holandë u lejuan martesat, na lajmëruan që të dy se qenë ndër të parët që vunë kurorë në bashkinë e Amsterdamit. Nuk kaloi shumë dhe pas kësaj erdhi një letër tjetër prej tyre, me një kryq të zi përsipër. Këtë herë u dërguan prej “Hamletit”. Ai na lajmëronte se Japp Jansen-i kishte vdekur papritur nga zemra. U dëshpëruam si për një njeri të familjes. (Fragment i shkeputur nga libri)
\living.al