8 Ma-masht-mashtrimi, jo, s’ta uroj këtë festë ty, ty që mezi e pret këtë datë për me marrë nji fije “respekti”, ti që e sheh këtë datë si të shenjtë, dhe po: ke t’drejtë, ashtu është në fakt, e shenjtë! Por jo për ty! Jo, ti kurrë s’ia dite rëndësinë vetes, jo për ty që kur dielli ik e nata vjen, e bën gati trupin për me ja dhuru’e nji personi që as “mirëdita” e as “mirmbrama” nuk t’thotë. Apo nejse, ai burrë eshtë. Apo jo?
Jo, nuk t’uroj me festu’e e me u gzu’e ti që zanin nuk e ngre. Ti zonjë, që t’drejtat e tua nuk i din, nuk i kërkon, e nuk t’interesojnë sepse ti je grua.
Jo, mos festo ti, që sytë t’u mbushën me lotë prej s’keqit kur e kuptove se fmija që mban ne bark nuk ështe djalë. Ti që u mërzite e u brengose kur e kuptove se fëmija që pret është vajzë. Nuk t’dhuroj lule t’kuqe ty, ty që kur djali yt t’kërkoi nje barbi-kukull për të luajtur, ia fute në shuplakë, e ia mbushe dhomën me batman-a vetëm e vetëm mos me t’u rritë djali e me u bo “çikë”, ti që nuk e rrite djalin e vajzën në të njëjtën mënyrë.
Mos festo ti që fëmijës ia kufizon ngjyrat, ngaqë “pink-u” qenka për vajza e “blu-ja” për djemtë. Nuk e ke hallin me festu ti, ti që kur i mbush të 20-tat, të kaplon stresi e paniku që sa më shpejt të martohesh e “të rahatohesh”. Ti që mendon se po hyre në te 30-tat e je pa-martu, t’shuhen dritat për jetë, nuk ki shpresë me jetu’e ngaqë aq ishte, puna jote e pati.
“Ka kohë për m’u shkollue e me gjetë punë, mjafton me gjetë nji burrë”- Jo, pikërisht ty, s’ta uroj këtë festë, ty që prioritet nuk ke veten, edukimin e suksesin. Kjo festë nuk të takon ty, ty që trupit tënd vlerat kurrë s’ia dite, ty që kurrë nuk e konsiderove me vendosë vetë se çfarë dreqin do bësh me trupin tand, ngaqë gjithmonë “e ki rujt trupin, për burrin tand”.
As ma pak s’ta uroj këtë festë ty oj grua, që gruan tjetër gjithmonë e ki pa si kundërshtare, e thellë n’zemrën tande ki konkuru me të, ty që kurrë nuk iu gëzove suksesit t’shoqes tande, kushërirës tande ngaqë… pse ajo e jo ti? Hë? Lulen e kuqe e t’bukur nuk ta dhurroj ty që para pasqyrës qëndron me orë të tëra për t’i bërë përshtypje atij djalin që e ki n’klasë, e kurrë nuk i hap librat për m’e ushqy trurin e me ec përpara, sepse ti s’të nevojiten librat. Ti je vajzë, apo?
Ti, që e quajte shoqen tande “kurvë” për arsye te atij djalit që asnjëherë nuk ju respektoi, as ty, e as shoqen tande.
Ti, ti që kurrë s’e ngrite zanin me luftu’e për t’drejta t’barabarta ngaqë “gruaja nuk bën me ngritë zanin”, ti që kurrë nuk i kundërshtove e nuk ua fute në grusht zakoneve idiote e diskriminuese.
Lulja ime e madhe shkon për ju, o gra, që gjithmonë keni luftu për t’drejtat tuaja, për ju që kërkoni dashurinë dhe respektin çdo ditë të vitit, e jo 8 marsin!
Lulja ime shkon edhe për ata burra që gruan e tyre apo shoqet i respektojnë dhe i duan çdo ditë, si sot.