Kohët e fundit është shkruar shpesh në mediat ‘online’ se këngëtarja Elhaida Dani nuk ka qenë aktive në tregun muzikor shqiptar pasi ka nisur të tjera aktivitete në Francë, ku po merret më së shumti me modë, të paktën me sa kuptojmë nga rrjetet sociale.
Por duket se të gjithë pikëpyetjet tona do të kenë më në fund një përgjigje sepse “rikthimi” i Elhaida Danit në muzikën shqiptare pas një kohe relativisht të gjatë tashmë ka një datë dhe një orë. Ka qenë vetë këngëtarja e cila në Instagram ka lajmëruar të gjithë ndjekësit se kënga e saj e re titullohet “Më mbaj” dhe do të lançohet në datën 2 tetor.
Duke marrë shkasë edhe nga kurioziteti i ndjekësve të saj, ne të Blitz.al kontaktuam me vetë Elhaidën për ti zbuluar disa detaje më tepër rreth këtij projekti.
Elhaida tregoi për Blitz.al se kjo këngë e re vjen edhe me një risi, si asnjëherë më parë për të. “Veçantia e kësaj kënge qëndron në faktin se do të jetë dalja ime e parë si kompozitore dhe autore e tekstit të këngës, pra nuk do të jem vetëm vokaliste…” – ka rrëfyer këngëtarja ndërkohë që na zbulon edhe zhanrin e këngs “Më mbaj”: “Është një këngë pop-folk dhe remix i kësaj këngë është bërë nga DJ Olti”.
Në fakt Dj Olti nuk është një emër i panjohur për ne, sidomos këto javët e fundit ku së bashku me Alban Skënderaj dhe Lyrical Son, është lançuar këngë ’93, e cila ka fituar menjëherë zemrat e publikut çka i ngre pritshmëritë edhe për këngën e Elhaidës që është punuar nga po Dj Olti.
“Është rikthimi im pas dy vitesh, në këto dy vite kam qenë pjesë e një ndryshimi radikal të karrierës time: largimi nga muzika pop, vazhdoj të jem pjesë e ‘musical’-it francez ‘Notre Dame de Paris’ me Riccardo Coçiante” – ka vazhduar të tregojë Elhaida për Blitz.al referuar shkëputjes së saj nga muzika këto kohë.
Ndërkohë këngëtarja surprizën e ka lënë për në fund, ku ka zbuluar për Blitz.al edhe projektin e saj të radhës që me shumë mundësi do të jetë një sukses: “Kjo këngë është e thjeshtë, e drejtë dhe shumë personale. Më së shumti është thjesht një paralajmërim për gjërat e reja që do të vijnë nga unë jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë. Po zbuloj një sekret për ju: Bashkëpunimi im me producentin e SIA, Arthur Pringley, ‘Ruby’, që është një duet me Durim Morinën dhe po punohet momentalisht, por …jo vetëm!” – ka theksuar Elhaida duke na ngritur edhe më tepër kuriozitetin.
Epo mund të themi se pritja ja ka vlejtur dhe kjo vajzë do na surprizojë siç bën zakonisht! /Blitz.al/