Arben Travari: “Kjo nuk është fushatë inati, synojmë përparimin e gjithë shtresave të shoqërisë”, në intervistën ekskluzive për Bon Zo

Arben Travari: “Kjo nuk është fushatë inati, synojmë përparimin e gjithë shtresave të shoqërisë”, në intervistën ekskluzive për Bon Zo

Arben Taravari është kandidati zyrtar i Aleancës për Shqiptarët për Kryetar të Komunës së Gostivarit. Një personalitet i cili mban mbi supe një sërë eksperiencash si kombëtare ashtu edhe ndërkombëtare dhe që vendosi të sakrifikojë postin Ministër i shëndetësisë, vetëm për të dhënë kontributin e tij për bashkëqytetarët e vet.

Studimet për mjekësi, Taravari i ka mbaruar në vitin 1998 në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi, kurse më pas ka ndjekur një mori trajnimesh ndërkombëtare derisa në vitin 2011 në mbrojtje të dizertacionit të doktoraturës është kurorëzuar me titullin Doktor i shkencave me punim “Shenjat dhe roli gjenetik në sëmundjen e parkinsonit”.

Politikës i është futur relativisht vonë edhe pse arriti të fitojë simpatinë e publikut dhe votuesve shqiptarë, duke sjellë me vete vlerat më të mira. Nga Zgjedhjet parlamentare 2016 ai doli si Ministër i shëndetësisë, duke sjellë kështu një valë reformash pozitive në këtë ministri për ato 100 ditët gjatë të cilave ushtroi detyrën e kreut të kësaj ministrie.

Në platformën e tij para elektoratit, Taravari për rininë premton: Themelimin e këndit të talenteve “Gostivari Krijon”, në shërbim të studentëve, intelektualëve, nxënësve, organizatave joqeveritare, hapësirë për debat, zhvillim të ideve dhe inkubatorëve të ndryshëm.

Në sferën e kulturës dhe sportit, ai premton kultivim, zhvillim, mbështetje dhe promovim të artit dhe të artistëve, si dhe personaliteteve të fushave të ndryshme që rrisin jehonën e qytetit me veprimtaritë e tyre; nxitjen e zhvillimit të sporteve kolektive, organizimin e aktiviteteve për personat me aftësi të kufizuara, hapjen e Qendrës Rinore të Gostivarit, si dhe shpalljen e Ditës së Rinisë.

Për të mësuar më tepër për rolin e rinisë në vendimmarrje, në kampanjën e kanidatit për Kryetar komune në Gostivar – Arben Taravari, Bon Zo ju sjell intervistën ekskluzive.

 

  1. Si e konsideroni rolin e të rinjve në rajonin tuaj? Si do të jenë të përfshirë nëse e fitoni këtë mandat?

 

Nëse do të flisja me gjuhën e profesionit Rinia është ajo që përfaqëson neuronet në një shoqëri.

Roli i saj është jetik në funksionimin e shëndetshëm të qytetit!

Pa të rinjte do ishim të gjymtuar!

Rinia është e tashmja që duhet shërbyer, përkrahur, motivuar. Është aseti që garanton një të ardhme të begatë, evropiane, dhe të rinjtë tanë i kanë të gjitha të drejtat, kapacitetet dhe dëshirën për të qenë pjesë e Evropës së qytetëruar. Ata janë pjesë e saj. Duam dhe duhet t’ju krijojmë mundësitë të cilët janë përgjegjësi e jona absolute.

Pyetja sa të përfshirë janë të rinjtë në mandatin tonë, është retorike, pasi shpjegova rëndësinë e tyre titanike në jetën tonë.

 

  1. Çfarë do të bëni ndryshe sa u përket të rinjve nga komuna juaj, krahasuar me pararendësin tuaj? Si dhe çfarë do të bëni ndryshe krahasuar me kandidatët e tjerë në garë për komunën tuaj?

 

Nuk jemi udhëhequr në asnjë moment që të bëjmë ndonjë gjë ndryshe nga pararendësi në programin tonë.

Kjo jona nuk është një fushatë inati, kjo jona është një fushatë që synon progresin për të gjitha shtresat e shoqërisë.

Vetë motivi Gostivari i Pari tregon qartë kontekstin tonë, ne do punojmë për qytetin, dhe ky i fundit duhet të kujdeset njësoj për të gjithë qytetarët e vet.

Ne nuk mendojmë se Gostivari ndahet në të majtë apo në të djathtë, në humbës apo fitues, në etni apo gjini, ne e shohim qytetin si Një dhe aty bën pjesë çdo gostivaras!

Ditën që do të fitojmë do të fitojë secili qytetar, përfshi dhe ata të cilët për arsye të tyre nuk janë pjesë e ekipit tonë. Për ne ditën e Fitores do ketë vetëm fitues!

E tash duke folur për të rinjtë, planifikojmë që të krijojmë një sektor që do t’u përkasë vetëm atyre, duke nxitur hapjen e mundësive për bursa studimi, për vende pune që janë kaq të nevojshme për të rinjtë e natyrisht zhvillimi i kulturës dhe sportit është një qëllim që përfshin të Rinjtë më shumë se shtresat e tjera!

 

  1. Si do të ndikojë profesioni juaj ndërkohë edhe përvoja juaj jetësore në raport me të rinjtë dhe avancimin e tyre?

 

Pozitivisht besoj. Si thoni dhe ju më ka rastisur për shkak të profesionit të jem profesor i tyre, dhe mjeku i disave.

Në të dyja rrethanat eksperienca më ka treguar për fuqinë dhe energjinë e tyre të paprecedentë. Nuk e imagjinoni se çfarë mrekullish mund të bëjnë të rinjtë!

Duhen vetëm mbështetur!

 

  1. A janë të rinjtë mjaftueshëm të përfshirë në programin tuaj?A mendoni se ata janë pjesë e rëndësishme e elektoratit apo janë votues të influencuar nga rrethanat familjare apo thënë ndryshe nga “të riturit”?

Në programin tonë është menduar për të Rinjtë, ju ftoj të lexoni programin. Sa i përket votës së tyre nuk jam fare dakord që ata nuk kanë identitet të pavarur dhe influencohen nga më “të rriturit”! Plus që jam i bindur që nuk do ketë asnjë konflikt në familje se kush të votohet, pasi të gjithë duam që Gostivari të jetë i Pari!

E të kthehem prapë tek të Rinjtë e sidomos ata gostivaras: ata janë në gjendje të ndryshojnë botën ndaj dhe në 15 tetor do t’i dëshmojnë gjithë Maqedonisë se Gostivari vjen i Pari! /bonzo.info/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *