I çuditshëm, i pazakontë… (në kuptimin e mirë ama), një Art-House Cinema e pastër. Shumë i thellë, provokues, nxitës i shumë mendimeve t’parehatshme, mendime të cilat dëshirojmë t’i eklipsojmë, t’i zhdukim nga mendja.
Film që ngacmon vazhdimisht dhe të largon nga zona e komoditetit. Goxha depresiv, i zymtë që krijon një atmosferë rrënqethëse, drithëruese, një roller-coaster emocionesh. “A Ghost Story”, është krijim unik, një zbërthim i veçantë i ndjenjave dhe emocioneve. “A Ghost Story”,nuk është horror, por ajo që shtjellon është e frikshme dhe shume delikate. Është film që nuk përmban’ shumë dialog, kjo ndoshta për arsye se “A Ghost Story” mund t’i kuptohet esenca edhe pa fjalë, thjesht duke e perjetuar. Film që me shumë shprehet përmes heshtjes.
Realizimi është pothuajse perfekt. Puna me kamera është mahnitëse. Ky film, është i ndërtuar nga skena të heshtura, të errëta, të palëvizshme dhe vazhdimisht të përqendruara në një ambient, në një person. Dramaticiteti i tyre është i jashtëzakonshëm. Kinematografia, në pjesën më të madhe të kohës bëhet udhërrëfyese e storjes, meqë edhe dialogu është i paktë. Punë madhështore e kinematografit.
Një armë tjetër e fuqishme e filmit është muzikali fenomenal. Muzikal trishtues, që rëndon skenat, situatat dhe ka efekt të pabesueshëm n’përjetimin e ngjarjes. Nëse filmi është kaq i zymtë, depresiv dhe shumë depërtues tek audienca është e gjitha si shkak i punës me kamera dhe muzikalit. Sinkronizim perfekt i dy kategorive me të rëndësishme të këtij filmi.
A “Ghost Story”, është film jotradicional për jetën, vdekjen, dashurinë, dëshirën për të lënë gjurmë edhe pasi të largohemi nga kjo botë. Koha, humbjet, hidhërimi, pengjet e jetës eksplorohen dhe paraqiten tek publiku përmes një fantazme, koncepti dhe perceptimi i së cilës është ndryshe me realitetin, me ciklin jetësor që përjetojmë çdo dite. Kjo e dallon dhe e bën të veçantë “A Ghost Story” si realizim. Film që në vete përmban mesazhe të rëndësishme siç jane: kuptimi i jetës, çfarë na karakterizon si qenie njerëzore, cilit vend i takojmë, ku ndihemi të lirë, ku ndihemi vetja. Një prej filmave me origjinal që kemi parë. Realizimi i tij ka kushtuar 100.000 euro. Duhet cekur që filmi është për audiencë të limituar dhe shumë mund të zhgënjehen prej tij.
“Ne ndërtojmë trashëgiminë tonë, hap pas hapi dhe ndoshta një ditë e gjithë bota do ta kujtojë, ose mbase vetëm ca njerez, por duhet të bësh çka mundesh për t’u siguruar se ti vazhdon të jesh prezent edhe shumë kohë pasi të kesh ikur”
Shkruan: Mervan Gashi /bonzo.info/