Hulumtimi i ri ka treguar se fëmijët të cilët shpesh lavdërohen për inteligjencë kanë më shumë të ngjarë të mashtrojnë në provime.
Hulumtimi mbështetet në një studim të kryer nga Carol Dweck, e cila për 40 vjet i ka studiuar fëmijët dhe ka dëshmuar se fëmijët që lavdërohen për përpjekjet apo mundin e tyre, dhe jo për shkak të aftësive së tyre, kanë më shumë gjasa për sukses, sepse janë më të motivuar, transmeton Koha.net.
Nëse fëmijët besojnë se inteligjenca e tyre mund të zhvillohet, dhe jo se është e dhënë dhe e pandryshueshme, ata do të ballafaqohen më lehtë me pengesat, tha Dweck.
Hulumtimet e fundit kanë treguar se fëmijët të cilët lavdërohen ekskluzivisht për inteligjencë, dhe jo për përpjekje, kanë më shumë të ngjarë të mashtrojnë për ta arritur qëllimin dhe e arsyetojnë këtë me faktin se prej tyre pritet që gjithmonë të jenë më të mirët.
“Hulumtimi ynë vazhdoi më tej dhe tregoi se dëmi shkaktohet jo vetëm në fushën e motivimit, por edhe në fushën morale. Këto vlerësime ‘e shtyjnë’ fëmijën që të mashtrojë për të arritur diçka”, tha bashkëautori i studimit, psikologu Gail Heyman.
Studimi u krye në mesin e 300 fëmijëve. Njëri grup u lavdërua për inteligjencë, tjetri për përpjekje, ndërsa grupi i tretë nuk u lavdërua fare.
Fëmijëve iu kërkua të mos mashtrojnë në provim dhe pasi mbetën vetëm në dhomën e provimit, ata që u lavdëruan për inteligjencë mashtruan dhe u përpoqën t’i gjenin përgjigjet që ishin në tavolinën tjetër, përcjell Koha.net.
Bashkautori i studimit Kang Lee thekson se fëmijëve duhet t’u jepet lavdërimi i duhur për përpjekjet e tyre dhe se fëmijët të cilëve vazhdimisht u themi se janë të mençur sigurisht do ta ndjejnë më shumë presionin për ta bërë gjithmonë gjënë e duhur dhe të jenë më të mirët, gjë që mund të çojë në mashtrim.
© KOHA