Nëna është ëngjëll, bashkëshortja është djall

Nëna është ëngjëll, bashkëshortja është djall

Nga Lis Bukuroca

Pse fëmija ndjen dashuri emocionale dhe respekt ndaj nënës, por vetëm dhembshuri dhe “respekt” ndaj t’ atit? Jo te gjithsekush, por te shumëkush! Pse shumë veta konsiderojnë dreq nënën e fëmijëve të vet, por të veten engjëllushe? Nga vjen kjo skizofreni gjykuese?

Këto mund të jenë arsyet: tri vitet e para, kontakti i fëmijës është kryesisht me nënën, me sytë e saj, me kujdestarinë e saj, me bashkëndjesinë e saj, me përrallat e saja, me poezitë, me brengat, me zgjimin pas mesnate, me vajin, me përqafimin, me dashurinë, me frikën, me gatishmërinë, me thithjen apo me shishen e qumështit dhe, dhjetëra vrapime tjera emaptike, emocionale, pa harruar edhe deformimin e trupit të saj gjatë shtatzënisë. Kjo kujdestari vazhdon tutje dhe nuk zhbëhet. Dashurinë, që mbëlton nëna te fëmija në atë kohë, dikur kthehet nga fëmija te dhuruesja, kurse i ati nuk do ta falte atë empati, edhe sikur të jetonte 300 vite! Prandaj, edhe nuk i kthehet si dashuri, por si dhembshuri vetëm!

Pse? Ai nuk ka mësuar dashurinë! As emocionet! Ai mungesën e emocioneve deri në apati të plotë, e quan burrëri! Kryesisht jemi të tillë dhe për të arsyetuar mungesën e lidhjes emocionale me fëmijët, përligjim me punën. Se kemi detyrë të sjellim para, por jo të dhurojmë ngrohtësi dhe dashuri! Se nuk kemi kohë! As gjysmë ore në ditë, por kemi sa të duash të shkarravitemi me gjësende të panevojshme: nëpër kafene, në internet apo aktivitete tjera të parëndësishme, që na largojnë nga familja.

Heqim dorë nga dashuria, duke treguar arrogancë dhe autoritet patriarkal. Për të fituar dashurinë e fëmijëve, duhet dashuruar dhe nderuar nëna e tyre. Nëse nuk e bëjmë, e vetmja mundësi, që na mbetet një ditë, është akuzimi i gruas: “M’ i more fëmijët!” Kjo dëgjohet shpesh në familjet patriarkale me diskriminim, ku nuk pranohet dinjiteti i njeriut, por brutaliteti primitiv bazuar në organe gjenitale!

Nuk jemi mësuar të pranojmë fajin, por të akuzojmë vetëm. Pranimi i fajit, është fillim i ndryshimit, por ne nuk pranojmë ndryshimin, sepse narcizmi jonë është patologjik! Ja një saaahembull: Ne akoma akuzojmë Kalifatin Osman për injorancën e imponuar, edhe pse sot kemi mundësinë dhe lirinë të arsimohemi, të emancipohemi dhe të vetëdijesohemi. Perandoria kishte faj për gjendjen e gjyshërve tanë, por jo për atë të patriarkëve tanë. E as për tonën sot, jo! Ne kemi radhën! Gjetja e fajtorit jashtë po shërben si alibi për ta kultivuar tutje parazitizmin dhe mosndryshimin!

Askush nuk mund t’ i marrë fëmijët, nëse u fal dashuri dhe kujdestari dhe nëse nuk keqtrajton nënën e tyre. Paraja nuk është dashuri. Paraja është mundësi, por dashuria është domosdoshmëri për fëmijëri të shëndoshë. Paraja është rezultat i punës, dashuria duhet të jetë rezultat i martesës.

Fëmija mund të rritet i shëndoshë edhe me varfëri, por pa dashuri, mbetet pa drejtpeshim të nevojshëm psikik dhe me plot telashe në jetë, nesër edhe në bashkëshortësi!

Aty, ku babai shtyp nënën e fëmijëve, në aspektin psikologjik, ata nuk i shpëtojnë sëmundjeve. Ata janë traumatizuar nga ai, që duhej të ushtronte kujdestari dhe të falte dashuri. Ata bëhen invalidë mendorë dhe prej despotit, trajtohen si pronë, si sigurim pensioni apo si instrumente për të realizuar ëndrrat e veta, që nuk ka arritur t’ i përfundojë, duke fajësuar dikë!

Mos e lind fëmijën nëse kërkon nesër ta paguajë jetën, që i ke falur pa dëshirën e tij, por me vetëdijen tënde, edhe pse ndoshta, pa dashje! Familja e shëndoshë, komb i shëndoshë! Popujt që përparojnë, ndihmojnë fëmijën materialisht për të ecur para. Ata ndjehen keq nëse i marrin fëmijës, sepse konsumojnë ardhmërinë e mbesave dhe nipave! Në familjen patriarkale, paratë hidhen kryesisht prapa, jo para!

Nëse familja nuk është e shëndoshë dhe e lidhur me dashuri, kombi është në gjendje kaotike, mu si edhe ajo. Aty ku i ati është i ashpër, fëmijët dhe nëna e tyre duhet të mësojnë dyfytyrësinë dhe gënjeshtrën, për t’ i shpëtuar shpërthimeve të tija agresive! Herë pas herë edhe vrasjeve. Ata, që vrasin gruan, nënën e fëmijëve, nuk e bëjnë pse përfitojnë, por sepse ky akt iu është mësuar në shtëpi si zgjidhje, si rikrijimi i nderit, që ai në fakt nuk e ka. Njeriu primitiv nuk mund të ketë nder, por iluzione për posedimin e tij!

E përfundimi? Prindërit kanë përgjegjësi të madhe. Fëmijëve gjatë rritjes u duhet liria, por edhe kufijtë. Në moshën madhore, liria, mëvetësia dhe mundësia e gjetjes së rrugës së vet. Edhe gabimet. Nga ato mëson, sepse njeriu nuk është robot! Fëmijës i duhet kryesisht liri në profesion dhe martesë. Keqtrajtimi dhe imponimi i dhunshëm mund të kuptohet kur bëhet nga pushtuesi apo armiku, por kurrë jo, kur bëhet nga prindi! Mos jeto për sytë e botës, por për vetveten! Nëse ata janë të kënaqur me ty, ti nuk do të jesh me vetveten! Profesioni dhe martesa duhet të jenë vetëm vendime të tuat. Me këto dy vepra duhet të bësh të lumtur dhe kënaqësh vetëm veten dhe askënd tjetër! Nëse ke nevojë për konsultime mbi zgjedhjen e gruas, mos u marto. Ti akoma nuk je i moshës madhore. Martohu më vonë!

Nuk duhet dëshpëruar pse fëmija ka dashuri më shumë ndaj nënës, por kur nuk ka as ndaj saj. Arsyet pse fëmija ka lidhshmëri më të madhe më të, u numëruan më lart, ka edhe qindra tjera, por mundësi dhe hapësirë boshe krijon shumë mungesa e dashurisë nga i ati, dhe, kryesisht, keqtrajtimi i nënës së fëmijëve. Babai, që trajton me dashuri gruan dhe fëmijët, por që nuk diskriminon në baza gjinore, jep kontributin themelor për një komb të shëndoshë dhe pa komplekse! Këtu nis përparimi i një kombi! Jeto sot! Jeto me të arriturat mendore të epokës tënde. Ato arritjet zakonore dhe fetare janë shkruar për epoka tjera, për njerëz tjerë! Ata hanin me grushte dhe teknologjinë më të madhe, kishin sëpatën dhe shpatën, kurse mjetin transportues, vetëm kafshën. Ti fluturon sot! Bazohu vetëm në kushtetutë. Aty gjenden parimet e kohës tënde! Denonco të ligën brenda familjes dhe në shoqëri! Ky është obligim qytetar, që tregon dashurinë ndaj atdheut. Shteti ka për detyrë të mbrojë dinjitetin e njeriut, jo të burrit! Pra, edhe të gruas, edhe të fëmijës!

Por pse konsiderojnë gruan dreq? Sepse nuk njohin dashurinë si emocion. Sepse kanë mësuar vetëm dhembshurinë dhe respektin e imponuar me dhunë. Sepse nuk janë edukuar, por janë dresuar! Vetëm me rrahje e kërcënime! Pa asnjë përqafim!

/Dritare.net

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *