Emri i Nevzat Bejtës, tashmë nuk është i panjohur për opinionin publik, aq më pak për qytetarët e Gostivarit, të cilët i kanë dhënë besimin me fuqinë e votës së tyre duke e zgjedhur dhe rizgjedhur për kryetar të Komunës së Gostivarit qe nga viti 2005.
Ai është i lindur në vitin 1961 në fshatin Duf të Rekës së Gostivarit. Hapat akademike i ka filluar në Gostivar, për t’i kurorëzuar më tej me diplomë të Fakultetit Filozofik në degën:Histori , në Universitetin e Prishtinës.
Kontributet e para për shoqërinë, i ka dhënë si mësues dhe profesor me dëshirën e madhe për të mbjellë dituri te rinia e Gostivarit.Por, aspirata për të bërë edhe më tepër për bashkëvendasit e tij, bëri që Nevzat Bejta t’i futet rrugëtimit të tij në politikë që nga viti 1999 e deri në ditët e sotme.
Karrierën politike e filloi si Këshilltar i Komunës së Gostivarit në vitin 1999. Ndërsa, pas trazirave të vitit 2001, ku ai ishte edhe vetë i përfshirë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare, gjegjësisht në vitin 2002 ai themeloi degën e BDI-së në Gostivar.
Në periudhën e viteve 2002 – 2005 ushtroi detyrën e deputetit nga radhët e BDI-së. Ndërsa në vitet 2005 – 2009 Bejtën për herë të parë e pamë në cilësinë e kreut të Komunës së Gostivarit, një post ky të cilin do ta rifitonte sërish në vitin 2013, kur gostivarasit vendosën t’ia besojnë qytetin edhe një herëme shpresën se ai do vazhdonte të kontribuonte për Gostivarin ashtu siç kishte bërë katër vjetët paraprake të udhëheqësisë së tij.
Kjo është padyshim një dëshmi se gostivarasit e duan dhe jo pa arsye, sepse Nevzat Bejta ,falë kualifikimeve të tij dhe pjesëmarrjeve të shumta nëpër trajnime të ndryshme, tashmë ka kristalizuar më së miri vizionin e tij në horizontin politik.
Është ndër kandidatët e vetëm për kryetar komune, që planet për të rinjë i radhit si të parat në programin parazgjedhor. Ai premton: Hapjen e leximores së qytetit (digjitale dhe analoge); hapjen e Galerisë së Arteve dhe Muzeut të qytetit; themelimin e Teatrit në komunën e Gostivarit; ndërtimin e Etno Fashatit në territor të komunës së Gostivarit; hapjen e Shtëpisë së Gjelbër dhe Muzeut Natyror në Vërtok; Festivalin tradicional 1 javor- Gosfest; mbështetjen e Shoqatave Kulturore të komunës së Gostivarit; mbështetjen e zhvillimit kulturor dhe Artistëve; përfundimin e Tribunave të Stadiumit të Qytetit; Rregullimin dhe modernizimin e sallës së sportit; Ndërtimin e terrenit për tenis në afërsi të stadiumit të ri të qytetit; ndërtimin e sallave të sportit në një sërë lokacionesh; hartimin e programit për inkuadrim, zhvillim dhe përkrahje të rinisë dhe sportit; nërkrahjen e rinisë dhe udhëzimin e tyre për arsimim dhe punësim; organizimin e kupës së çiklistëve në Komunën e Gostivarit; hapjen e shtigjeve të reja për këmbësorë dhe biçiklistë; pikë rekreimi midis fshatit Sërmnovë dhe Padalisht, etj.
Për të kuptuar edhe më tepër rreth rolit të rinisë në fuashatë dhe vendimmarrje, redaksia e portalit BonZo, realizoi një intervistë me kandidatin për kryetar komune në Gostivar, zotin Nevzat Bejta.
-
Si e konsideroni rolin e të rinjve në rajonin tuaj? Si do të jenë të përfshirë nëse e fitoni këtë mandat?
Më lejoni në fillim t’ju shpreh urimet e mia për punën tuaj si portal i të rinjve dhe falenderimet për këtë intervistë. Jam i lumtur të flas për të rinjtë, pasi kjo fushatë për mua ka domethënie të veçantë. Ne jemi duke garuar për ndërtimin e Gostivarit të Nesërm. Kjo do të thotë që qendër e planeve tona janë pikërisht të rinjtë. Edhe tani gjatë fushatës ata kanë një rol të rëndësishëm dhe kanë shtabin më të veçantë. Shumë shpesh qëndroj dhe diskutoj me ta dhe më përcjellin shumë energji, entuziazëm dhe ide të mira. Ata kanë rolin e rëndësishëm të arkitektit të së ardhmes së Gostivarit. Ne marrim seriozisht çdo nevojë dhe ide që ata kanë. Ndihem mirë kur i shoh të angazhuar e të informuar, prandaj është lumturi dhe privilegj t’i kesh afër e të mirëpresësh këshilla, sugjerime e pse jo edhe vërejtje prej tyre, të gjitha në dobi të përmirësimit të Gostivarit, drejt Gostivarit të Nesërm. Përmirësimi i infrastrukturës apo pamjes së qytetit, ndërtimi i shkollave dhe pajisja e tyre me kabinetet mësimore, krijimi i hapësirave sportive dhe argëtuese, janë bërë pikërisht që të rinjtë tanë të kishin Gostivarin që meritojnë. Por, ata meritojnë edhe më shumë se kaq. Prandaj ne jemi gati të bëjmë edhe më shumë. Me 80 për qind të rinj në listat për këshilltarë të Komunës, Gostivari i Nesërm do të jetë projekti i tyre dhe për ta.
-
Çfarë do të bëni ndryshe sa u përket të rinjve nga komuna juaj, krahasuar me pararendësin tuaj? Si dhe çfarë do të bëni ndryshe krahasuar me kandidatët e tjerë në garë për komunën tuaj?
Ne jemi në këtë garë për të ndërtuar të ardhmen. Ne besojmë te fuqia e të rinjve. Ne besojmë te fuqia e Gostivarit. Së bashku me të rinjtë do të ndërtojmë Gostivarin e Nesërm. Gjatë gjithë rrugëtimit tim jam përpjekur që të krijoj një lidhje të drejtpërdrejtë me të rinjtë e të gjithë qytetarët pasi unë besoj se jam njëlloj si ata. Dyert e Komunës kanë qenë gjithmonë të hapura për të mirëpritur të gjithë, padyshim edhe të rinjtë. Së bashku me ta përmirësuam Gostivarin e sotëm dhe tani me ta diskutuam programin për Gostivarin e Nesërm. Prioritet është ekonomia lokale dhe punësimi, si sfida e radhës në favor të të rinjve, pasi zhvilluam infrastrukturën dhe kemi nisur të tërheqim bizneset vendase dhe të huaja. Prioritet tjetër, me fokus të rinjtë është përmirësimi i arsimit, duke vazhduar me përmirësimim e mëtjeshëm të shkollave të të gjitha niveleve dhe në çdo vendbanim. Bazuar mbi planet që kemi bërë me ta, Gostivari i Nesërm do të jetë një qytet me të rinjtë në qendër.
-
Si do të ndikojë profesioni juaj ndërkohë edhe përvoja juaj jetësore në raport me të rinjtë dhe avancimin e tyre?
Ju falenderoj për këtë pyetje pasi jam shumë krenar për profesionin tim të mëparshëm me të rinjtë si mësues. Të jesh mësues është një mundësi të kuptosh se si ndihen të rinjtë, se çfarë pëlqejnë si edhe çfarë duan, por mbi të gjitha mëson se si të komunikosh me ta. Falë asaj përvoje e kam më të lehtë sot të punoj me ta. I kam pasur gjithmonë në krah për të gjitha punët e mira që kemi bërë dhe po punojmë së bashku drejt përmirësimit përfundimtar të qytetin. Jam vërtet i lumtur dhe u shpreh mirënjohjen time që më janë kthyer në frymëzim e forcë për të ecur përpara. Teksa i kam në krah të vetes, bindem se jam në rrugën e duhur dhe motivohem të eci me ta. Së bashku jemi në rrugën e jetësimit të Gostivarit të Nesërm, të Gostivarit që të gjithë e duam.
-
A janë të rinjtë mjaftueshëm të përfshirë në programin tuaj?A mendoni se ata janë pjesë e rëndësishme e elektoratit apo janë votues të influencuar nga rrethanat familjare apo thënë ndryshe nga “të riturit”?
Në programin tonë, përveç pjesëve të arsimit, ekonomisë, e kulturës që lidhen me të rinjtë, ka qartësisht një pjesë të posaçme që quhet: “Rini, sport, rekreim dhe turizëm aktiv”. Përveç kësaj, siç u shpreha më sipër, ata janë shtyllë themelore e gjithë programit dhe bashkëthemelues të tij. Ne besojmë te fuqia e të rinjve. Ne besojmë te rëndësia e tyre. Ne besojmë se ata janë të pazëvendësueshëm në rolin që kanë drejt së ardhmes. Kemi diskutuar gjatë dhe të gjithë bashkë kemi vendosur prioritetet dhe planet që do të jetësojmë mandatin e ardhshëm, pikërisht me të rinjtë. Ata kanë qenë pjesë e diskutimeve, kanë treguar zërin dhe kërkesat e tyre dhe kanë propozuar ide për përmirësimin e qytetit. Personalisht jam kujdesur që të përfshihen të gjithë propozimet e tyre. Të rinjtë janë në çdo synim, plan, projekt dhe propozim pasi janë arsyeja madhore se pse ne punojmë çdo ditë. Ata janë shtysa ku ne gjëjmë motivim të përmbushim punët. Me energjinë, forcën, këmbënguljen dhe entuziazmin që i karakterizon, do të çojmë përpara së bashku me ta projektet drejt finalizimit me sukses të Gostivarit të Nesërm. /bonzo.info/