Kosova humbet sërish, fiton 2-0 Ukraina

Kosova humbet sërish, fiton 2-0 Ukraina

Përfaqësuesja e Kosovës mbyll ndeshjet në shtëpi, përsa i përket fazës eliminatore për kampionatin e ardhshmë botëror pa asnjë pikë, teksa mundet 2 – 0 me Ukrainën. Takimi pritej të ishte tepër i vështirë për shkak të karakteristikave të ekipit kundërshtar si dhe motivimit të skuadrës së Andriy Shevchenko-s, që kishte nevojë patjetër për 3 pikët, sidoqoftë në qytetin e Shkodrës ndeshja  u shoqërua vazhdimisht nga rreshjet e dendura të shiut, gjë që influencoi ndjeshëm edhe përsa i përket numrit të pakët të spektatorëve në Loro Borici”. Trajneri Albert Bunjaku e filloi këtë takim me dyshen Jashanica – Rrahmani përpara Ujkanit, ndërsa anash vendosi Paqaradën nga e majta dhe Vojvodën në krahun tjetër. Përpara tyre u rreshtua dyshja Kryeziu – Musolli me Halimin në qendër, ndërkaq më përpara si zakonisht luajtën Celina dhe Rashica nga krahët, me Vedat Muriqin në sulm. Ngacmimi i parë vjen në 12′, por krosimi i Rashicës ishte dicka më i lartë se c’duhej për Muriqin. Dy minuta më vonë Pyatov pret pa vështirësi gjuajtjen qendrore të Celinës, ndërkaq tentativën e parë ukrainasit e kanë pas cerek ore lojë, por Ujkani i vëmendshëm grushton goditjen nga jashtë zone të Konoplyanka-s. 17′ pasiguri në mbrojtje teksa Paqarada ktheu rrezikshëm me kokë një top të cilin Gamash nuk e shfrytëzoi sic duhet. Rasti më i mirë i gjithë pjesës së parë u regjistrua në gjysmën e fraksionit hapës, kur pas shtyllës së Konoplyanka-s Kravets me portën e zbrazur e fluturoi topin mbi traversë. Në 28′ pas topit të marrë nga Celina Vedat Muriqi hyri në zonë por sulmuesi goditi keq, ndërkaq pak sekonda më vonë Konoplyanka vijoi dialogun nga distanca me Ujkanin, gjithsesi kapiteni ishte sërish vigjilent. Në fund të pjesës së parë Kryeziu u ndëshkua me një karton të verdhë që do ta privojë nga takimi me Islandën, ndërsa pjesa e parë u mbyll me Yarmolenko-n që në 48′ gjuajti larg kuadratit. I shtrënguar nga rezultati në pjesën e dytë Shevchenko zëvendësoi Kravets me brazilianin Marlos dhe Ukraina intensifikoi sulmet. Në 49′ Konoplyanka goditi pa saktësi në kufijtë e zonës, ndërsa 2′ më vonë Ujkani priti gjuajtjen e dobët të mesfushorit Marlos. Bunjaku zëvendëson Kryeziun e dëmtuar me Rashanin, që në 57′ mund të ishte shfaqur i vetëm përballë portierit Pyatov, por pasimin e shkëlqyer të Halimit e prishi në mënyrë të pavullnetshme Muriqi. Ekzaktësisht pas një ore lojë ukrainasit gjejnë golin. Konoplyanka kroson ëmbëlsisht nga e majta dhe Leart Paqarada me pamje të kufizuar devijoi në mënyrë të pafat në portën e tij. Reagimi i parë i skuadrës kosovare është te gjuajtja e dobët e Musollit (64′), ndërkaq vetëm pak caste më vonë në krahun tjetër Gamash shpërdoron në mënyrë të pafalshme krosimin e artë të Yarmolenko-s. 69′ Rashica pretendon për 11-metërsh dhe në fakt pamjet e përsëritura konfirmojnë prekjen e topit me dorë, sidoqoftë në anën tjetër 71′ Ujkani fitoi përsëri duelin me futbollistin e Shalkes, pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi. Cerek ore para fundit Rashani u zhvendos shkëlqyeshëm nga e majta drejt qendrës por gjuajtja u prit nga Pyatov, ndërsa në 84′ është preludi i golit por Ujkani reagoi mirë ndaj gjuajtjes me kokë të Ordets. Goli që vulosi rezultatin 2-0 u realizua tre minuata para përfundimit. Fillimisht Stepanenko goditi dobët me kokë, megjithatë mbrojtësit nuk spastruan dot dhe nga kjo gjë përfitoi Yarmolenko që shkundi me forcë portën e Ujkanit. Ukraina në fund merr 3 pikë shumë të vlefshme që e barazojnë me pikë me Kroacinë e vendit të dytë, ndërsa përfaqësuesja e Kosovës ka fare pak ditë në dispozicion për të përgatitur takimin përmbyllës të Grupit I, që do të jetë në Reykjavik përballë skuadrës që kryeson grupin, Islandës. /SuperSport/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *