Kryeministri shqiptar Edi Rama në një intervistë për median e njohur austriake “Der Standard”, duke u përgjigjur në pyetjen rreth platformës së partive shqiptare në Maqedoni, deklaron se mbrojtja për shqiptarët jashtë kufijve, është obligim kushtetues I shtetit shqiptar.
“Do të ishte skandal nëse qeveria austriake nuk do merrej me austriakët jashtë kufijve të saj territorialë. Aq më tepër, që shqiptarët në Maqedoni nuk janë minoritet, por një komb shtetformues. Nëse ndihmon shqiptarët atje, ndihmon Maqedoninë”, thotë Rama.
Në lidhje me Gruevskin Rama thotë se ata kanë qenë miq të mirë dhe Gruevski natyrisht e di se Platforma nuk ishte “sebepi” që ai nuk krijoi dot qeverinë.
Rama ndërkohë ka kritikuar BE-në për politikën e saj të zgjerimit . Theksoi se Shqipëria i ka përmbushur detyrat, si ajo e reformës Kushtetuese, procesit të drejtë zgjedhor, por bisedimet nuk kanë nisur akoma.
“Nuk është çudi që edhe vitin e ardhshëm nuk do marrim ftesë nga BE. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për Shqipërinë, por për vetë Europën që në mënyrë të padrejtë e ka ndalur procesin e zgjerimit.” Por kryeministri Rama shton që nuk pret ndryshimin e kursit të zgjerimit nga BE dhe se është tërësisht e padrejtë që Shqipëria është pas Malit të Zi dhe Serbisë, kur dihet se Mali i Zi është integruar shumë më vonë në NATO, është shumë pas ndryshimit të kapitullit të drejtësisë së bashku me Serbinë”, theksoi kryeministri Rama.
Sa i përket Kosovës, Rama thekson se banorët e Kosovës ishin nën një regjim brutal , tani ata kanë shtetin e tyre, por megjithatë nuk munden të udhëtojnë drejt Europës.
”Kosova për liberalizimin e vizave ka kusht demarkacionin me Malin e Zi, ndërsa Serbia ka filluar bisedimet dhe jo që nuk ka nënshkruar demarkacionin me shtetet fqinje por as nuk njeh pavarësinë e Kosovës.Nuk ka vetëm lodhje të zgjerimit, por ka edhe lodhje të durimit”, ka theksuar kryeministri shqiptar Edi Rama për “Der standard”.
