Panuçi: Lojë e bukur dhe rezultat përballë Italisë

Panuçi: Lojë e bukur dhe rezultat përballë Italisë

Shqipëria do të kërkojë lojën e bukur, por edhe rezultatin përballë Italisë. Christian Panuçi nuk i fsheh objektivat në ndeshjen e fundit kualifikuese të Botërorit 2018. Trajneri kuqezi paralajmëroi skuadrën që të mos krijojë iluzione prej faktit se kundërshtarët janë të kualifikuar, ndërsa kërkon një paraqitje si ajo e pjesës së dytë në Spanjë.

 

Christian Panuçi

Në Kombëtare nuk ka miqësore. Nuk ekzistojnë ndeshjet që nuk kanë vlerë, sepse ky është ekipi përfaqësues. Kur një lojtar nuk luan në maksimum, në ndeshjet e radhës nuk do të grumbullohet. Duhet të tregojmë seriozitet maksimal në çdo ndeshje.

Për ne vlen paraqitja e mirë, të luajmë futboll dhe që nëpërmjet lojës të fitojmë ndeshjen.

Spanja është një kundërshtar që edhe nëse nuk dëshiron të mbrohesh, të detyron të qëndrosh mbrapa. Jam shumë i kënaqur nga ajo që bëm në pjesën e dytë, ajo paraqitje duhet të jetë një pikënisje. Nuk duhet të përdorim alibi, sepse ky ekip mund të bëjë shumë më tepër.

 

Përballja me përfaqësuesen e vendit do të ishte natyrshëm emocionuese për këdo, megjithatë trajneri Panuçi mbetet i përqendruar te Shqipëria, duke deklaruar se rezultati pozitiv do ti kënaqë të gjithë, por paralajmëroi se megjithë momentin e vështirë, Italisë nuk mund ti zihet besë.

 

Christian Panuçi

Jam italian, por jam krenar që jam trajner i Shqipërisë. Do të jem në fushë me ekipin tim dhe do të më lumturonte që djemtë ti dhuronin vetes një kënaqësi të madhe përballë Italisë. Jam i bindur se vlejnë më tepër nga sa mendojnë. Jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje shumë të mirë. Pres një Itali të zemëruar, sepse po kritikohet shumë. Nuk duhet ti zëmë besë kundërshtarëve, nga të cilët presim të luajnë në mënyrë serioze. Megjithatë, ne duam që të kënaqemi duke arritur një rezultat pozitiv.

 

Koecidenca apo zgjedhjet jo të goditura, kanë bërë që në dy ndeshjet e fundit Shqipëria të bëjë dy zëvendësime pas pushimit ndërmjet pjesëve. Panuçi argumenton se vendimet e tij janë ndikuar nga mungesat prej pezullimeve apo dëmtimeve.

 

Christian Panuçi

Në atë moment ndjeja që duhej të bëja dy zëvendësime. Shpresoj që të mos më duhet ta bëj gjithmonë këtë lëvizje pas fundit të pjesës së parë të lojës. Në Spanjë mungonin Mavraj, Kukeli, Roshi, Abrashi, Cikalleshi, Strakosha apo Agolli që nuk luante prej një muaji. Kishim shtatë lojtarë që rrezikonin pezullimin me kartonë. Këto janë gjëra që ndikojnë te ne. /SuperSport/ 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *