Fatmir Izairi: “Fuqizimi ekonomik i të rinjëve, prioritet në katërvjeçarin e ardhshëm”

Fatmir Izairi, është personalitet mjaft i njohur në skenën politike të vendit tonë, sidomos për banorët e Komunës së Zhelinës, që për dy mandate i kanë besuar udhëheqjen komunale duke e shpallur fitues të Zgjedhjeve Lokale të vitit 2009 dhe në ato të vitit 2013.

Ai ka lindur në vitin 1962 në fshatin Zhelinë. Pas mbarimit të shkollës së mesme ka vijuar studimet për mjekësi, me një rrugëtim pasues akademik, specializim në pediatri, në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi në Shkup.

Pas përfundimit të studimeve në vitin 1993, Fatmir Izairi ka punuar dhe  udhëhequr me poliklinikën Florens, ndërsa përveç suksesit në sferën e mjekësisë, ai dëshmoi veten edhe në fushën e politikës ku po njësoj, falë përkushtimit dhe angazhimit të tij permanent, arriti të përfitojë elektoratin jo pak, por në dy fushata zgjedhore.

Izairi nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, cilësohet si një nga kandidatët që u qëndroi përballë dhe realizoi premtimet e dhëna përgjatë fushatës. Dëshira e tij për transparencë ka mundësuar realizimin e dëgjimeve publike dhe konsultimeve me votuesit e kësaj Komune, rreth projekteve të saj. Në mandatin e ri ai premton se pas shumë investimeve në infrastrukturë, është koha për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të kësaj ane.

 

Ashtu siç kemi bërë me shumë kandidatë të tjerë, nga redaksia e Bon Zo kemi kontaktuar edhe kandidatin për kryetar të Komunës së Zhelinës nga BDI, zotin Fatmir Izairi i cili nuk ngurroi t’i përgjigjej ftesës sonë për intervistë lidhur me interesat dhe çështjet që u takojnë të rinjve.

 

  1. Si e konsideroni rolin e të rinjve në rajonin tuaj? Si do të jenë të përfshirë nëse e fitoni këtë mandat?

Kur banorët e Komunës së Zhelinës më besuan përgjegjësinë për të udhëhequr me komunën, trashëgova një komunë afër greminës. Bashkë me banorët e bëmë ndryshimin sepse i dhamë fund një historie rrënimi dhe dëshpërimi që dukej e pafundme. Komuna e Zhelinës sot ka ndryshuar sepse është investuar mbi 13 milion euro në total, në çdo vendbanim, kudo. Të rinjtë që janë forca dhe energjia e komunës sonë, para se të jenë në moshën rinore janë fëmijë. Edhe pse fuqizimi ekonomik i të rinjve dhe përfshirja e tyre në vendimmarrje kanë qenë edhe në të kaluarën objektiv i yni, në mandatet e kaluara , kryefjala e agjendës sone ka qenë infrastruktura arsimore , dhe ia dolëm ta operojmë atë në qelizë duke përmbyllur kështu me sukses periudhën e mësimit nëpër baraka. Kemi investuar afro 1 milion euro vetëm në infrastrukturën arsimore në 4 shkolla të reja të ndërtuara si në Merovë, Kapazhdoll, Leshnicë e Epërme dhe Novosellë. Investime për përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese shkollore si në Zhelinë, Trebosh, Çiflik, Grupçin, Dëbërcë, Strimnicë dhe Llërcë. Kemi ndërtuar një sallë sporti, një fushë sporti dhe kemi investuar edhe në tre fusha të tjera sporti. Natyrisht, investimet në arsim dhe sport do të jenë të vazhdueshme, por meqë veç më jemi në një stad tjetër të zhvillimit do të angazhohemi për krijimin e mundësive reale ekonomike edhe nëpërmjet të gjallërimit të Zonës Industriale ku priten rreth 440 vende të reja të punës duke mos llogaritur investimet e reja por vetem ato 22 kompani me leje ndërtimi veç më të mara. Kemi projekte për nxitjen e partneritetit publik-privat dhe biznesit për shfrytëzimin e potencialeve lokale dhe rritjen e punësimit, me vëmendje për punësimin e të rinjve dhe femrave.  Projekte për nxitjen e ndërmarrësisë tek të rinjtë dhe gratë/vajzat përmes organizimeve të trajnimeve në fushën e ndërmarrësisë. Një projekt tjetër është edhe themelimi i Këshillit Rinor Komunal me qëllim të përfshirjes së të rinjve në vendimmarrje.

 

  1. Çfarë do të bëni ndryshe sa u përket të rinjve nga komuna juaj, krahasuar me pararendësin tuaj? Si dhe çfarë do të bëni ndryshe krahasuar me kandidatët e tjerë në garë për komunën tuaj?

Që të mundem të bëj krahasime se çka do të bëja ndryshe nga të tjerët do të më duhej t’i lexoj programet e tyre. Me sa kam njohuri,  kundërkandidatët nuk kanë publikuar programe as online dhe as në formë të shkruar. Megjithatë, ajo që ka rëndësi është se ne jemi të angazhuar në promovimin e programës sonë e cila përmban  81 projekte konkrete me vlerë investimi mbi 18 milionë euro. Ashtu siç edhe e përmenda,gjatë dy mandateve të mëparshme, kemi hedhur themele të forta mbi bazën e të cilave do të ndërtohet zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe në veçanti për rininë në fokus do të jetë fuqizimi ekonomik i tyre.

 

  1. A janë të rinjtë mjaftueshëm të përfshirë në programin tuaj?A mendoni se ata janë pjesë e rëndësishme e elektoratit apo janë votues të influencuar nga rrethanat familjare apo thënë ndryshe nga “të rriturit”?

Në programin tonë kemi pjesë të veçantë  ‘Rini, Kulturë dhe Sport’, ku si angazhim i yni paraqitet gjallërimi i jetës kulturore dhe sportive dhe fuqizimi i të rinjve. Vetëm për këtë pjesë kemi paraparë 15 projekte me vlerë investimi prej 1.6 milion euro. E dyta, në angazhimin tim permanent për të krijuar jo vetëm një të ardhme më të mire për të rinjtë tanë, por edhe për të krijuar mundësi për formimin e të rinjve të së ardhmes sonë,nuk bëjnë pjesë kalkulimet elektorale.Kam mbështetur dhe do të vazhdoj të mbështes çdo iniciativë rinore edhe në mandatin e ardhshëm, në veçanti prioritet do të jetë fuqizimi ekonomik i të rinjve. Provë për këtë është edhe mbështetja e të rinjve përtej ngjyrave partiake për kandidaturën time. Dhe këtu, përfitoj nga rasti të falënderoj ekipin vullnetar dhe vetiniciator të vajzave dhe djemve të Komunës së Zhelinës për mbështetjen, angazhimin dhe kontributin e tyre në kampanjën zgjedhore. /bonzo.info/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *