Siti i Guardiolës po gris librat e rekordeve, zyrtarisht më i miri në historinë e Premier Ligës

Siti i Guardiolës po gris librat e rekordeve, zyrtarisht më i miri në historinë e Premier Ligës

Luajtur 10. Fituar 9. Barazuar 1. Humbur 0. Diferenca e golave +29. Këto janë statistikat monstruoze të Mançester Sitit, i cili zyrtarisht ka bërë edhe startin më të mirë të gjithë historisë së Premier Ligës pas 10 javëve të para.

REKORDI

Skuadra e Pep Guardiolës theu rekordin që vendosi Siti i Roberto Mançinit, kur u shpall kampion në sezonin 2011-12. Ajo skuadër, e cila regjistroi edhe suksesin e pavdekshëm 6-1 në derbin kundër Mançester Junajtid në “Old Trafford”, kishte një golavarazh +28 pas 10 ndeshjeve, edhe pse rekordi i pikëve ishte identik.

Dhe rekordi i tyre është edhe më befasues sesa ai i Çelsit të Zhoze Murinjos vendosur gjatë 2005-06 (edhe këta kampionët e ardhshëm), i cili fitoi 9 nga 10 javët e para, por diferencën e golave e kishte +20.

RENDITJA

Siti i Guardiolës po i gris librat e rekordeve çdo javë dhe po vendos standarde të reja në Premier Ligë. Nuk është rastësi që ata kryesojnë me 5 pikë nga vendi i dytë, që mbahet nga Junajtid dhe 8 nga Totenhemi, edhe pse jemi ende në fillim të sezonit.

Suksesi i fundit 3-2 ndaj Uest Bromuiçit, nuk ishte më i bukuri i sezonit, pavarësisht se solli fitoren e tetë radhazi në Premier Ligë. Megjithatë, ai shfaqi potencialin e talentit sulmues që skuadra ka në dispozicion, kur shënoi me Leroi Sanenë, Fernandinjon dhe Rahim Sterling, për t’u nënvizuar se asnjëri nuk është sulmues i deklaruar.

SULMI

Lojtarët e Sitit kanë nisur të dominojnë Premier Ligën, duke kryesuar edhe listën e golashënuesve. Herri Kejn vazhdon të jetë në krye të bomberave me 8 gola, ndërsa Lukaku i Junajtid ka 7. Por, Serxho Aguero dhe Rahim Sterling kanë po aq sa belgu. Sane dhe Gabriel Zhezus kanë secili nga një gol më pak. Po të llogarisim edhe Ligën e Kampioneve dhe Kupën e Ligës, Sterling ka 9 në total, ndërsa Aguero, Zhezus dhe Sane nga 8 secili. /Panorama/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *