Ylli i “Bollywood” është mbytur aksidentalisht

Ylli i “Bollywood” është mbytur aksidentalisht

India u trondit nga vdekja e papritur e saj në moshën 54-vjeçare, por ndryshe nga sa u raportua fillimisht, ylli i “Bollywood”-it, Sridevi Kapoor duket se nuk ka ndërruar jetë nga një atak kardiak.

Raporti paraprak i autopsisë tregon se aktorja, që ka interpretuar në gati 300 filma, është mbytur aksidentalisht. Trupi i saj po ekzaminohet në Dubai, e mund të ketë një vonesë të kthimit në atdhe, ndërsa raporti përfundimtar “post mortem”, ende i papërfunduar, pritet të nxjerrë edhe rezultatet e analizave të toksikologjisë.

Sridevi, emri i thjeshtë me të cilin i referoheshin në rrafshin profesional, ishte e vetmja femër e “Bollywood”-it që kishte arritur të mbizoteronte në “Box Office” pa një protagonist mashkull në krah.

“Associated Press” e përshkruan atë si të parën femër që arriti statusin e superyllit në industrinë indiane të filmit, të dominuar nga meshkujt.

Sridevi ishte vetëm 4 vjeç, kur u shfaq për herë të parë në një film, gjë që do të shënonte fillimin e një karriere të shtrirë në 5 dekada.

Sipas “Gulf News”, aktorja është mbytur aksidentalisht në vaskën e banjës dhe në trupin e saj janë gjetur gjurmë alkooli. Tani pritet të shihet edhe fakti se, nga dolën raportet fillestare që linin të kuptohej se 54-vjeçarja kishte ndërruar jetë prej një ataku kardiak, ndërsa ndodhej në Dubai për një ceremoni martesore./top-channel.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *