Shtylla kurrizore”, nga Bufon te Kielini, është ajo që ka udhëhequr Juventusin në një cikël të gjatë, me skuadrën bardhezi të kryesuar nga Masimiliano Alegri që do ngrejë titullin e shtatë radhazi. Një arritje që ka qenë megjithatë fryt i përmirësimeve të bëra gjatë merkatos së verës nga përgjegjësit zikaltër, të aftë për të zbuluar talente me parametër zero, pa harruar të shpenzojnë shifra “me peshë” kur ishte e nevojshme.
Dhe ditën e djeshme, e përditshmja “Tuttosport” ka stiluar klasifikimin e 10 goditjeve më të mira të merkatos të regjistruara nga Juventusi gjatë shtatë sezoneve të fundit…
10) SAMI KHEDIRA – Mesfushori gjerman me vitlindje 1987 u transferua prej Realit të Madridit në verën e 2015-ës. Me bardhezinjtë ka regjistruar deri tani 111 paraqitje, të “pasuruara” me 19 gola e 14 asiste; 3 tituj, 3 Kupa të Italisë dhe një Superkupë Italie.
9) MIRALEM PJANIÇ – Mesfushori boshnjak me vitlindje 1990 kaloi nga Roma në Torino verën e vitit 2016. Me bardhezinjtë ka regjistruar 90 ndeshje (dhe 14 gola e 28 asiste); 2 tituj e 2 Kupa të Italisë.
8) KARLOS TEVEZ – Sulmuesi argjentinas i vitlindjes 1984 u ble nga Mançester Siti verën e vitit 2013 dhe u largua më pas në 2015-ën me destinacion Boka Zhuniorsin (6,5 paguan ‘xeneizes’-ët). Me bardhezinjtë zhvilloi 96 paraqitje, ku regjistroi 50 rrjeta e 18 asiste; 2 tituj, 1 Kupë të Italisë e një Superkupë italiane.
7) GONZALO HIGUAIN – Sulmuesi argjentinas, i lindur në 1987-ën, u transferua te bardhezinjtë (që e blenë nga Napoli, duke paguar kluzolën) verën e vitit 2016. Me bardhezinjtë numëron 104 paraqitje, 55 gola e 12 asiste; 2 tituj dhe 2 Kupa të Italisë.
6) PAULO DIBALA – Sulmuesi argjentinas, me vitlindje 1993, u mor nga Palermo verën e 2015-ës. Me bardhezinjtë ka zhvilluar 139 paraqitje, gjatë të cilave ka koleksionuar 68 gola e 25 asiste; 3 tituj, 3 Kupa të Italisë e një Superkupë italiane.
5) ARTURO VIDAL – Mesfushor kilen, me vitlindje 1987, kaloi te “Zonja” nga Bajer Leverkuseni verën e 2011-ës e më pas u rikthye sërish në Bundesligë, te Bajerni i Mynihut, në 2015-ën (37,5 milionë euro është çmimi që paguan bavarezët). Me bardhezinjtë regjistroi 171 paraqitje, 48 gola e 25 asiste; 4 tituj, një Kupë të Italisë dhe 2 Superkupa Italie.
4) LEONARDO BONUÇI – Mbrojtësi italian, i lindur në 1987-ën, kaloi të bardhezinjtë pasi u largua nga Bari gjatë verës së 2010-ës e më pas udhëtoi në Milano (vitin e kaluar) për të veshur fanellën kuqezi (42 milionë pagoi “Djalli”). Me bardhezinjtë regjistroi 319 paraqitje, 21 gola e 8 asiste. Me Juventusin fitoi 6 tituj, 3 Kupa të Italisë dhe 3 Superkupa Italie.
3) ANDREA BARZALJI – Mbrojtës italian me vitlindje 1981. Juventusi ia mori Volfsburgut verën e 2011-ës dhe prej atëherë me bardhezinjtë ka regjistruar 270 paraqitje, 2 gola e 6 asiste; 7 tituj, 4 Kupa të Italisë e 3 Superkupa italiane.
2) POL POGBA – Mesfushori francez, i lindur në 1993- shin, iu mor Mançester Junajtidit me parametër zero gjatë verës së 2012-ës dhe u rikthye sërish te “Djajtë e Kuq” në 2016- ën (105 ishin milionat e paguar nga anglezët). Me bardhezinjtë regjistroi 178 paraqitje, 34 gola e 43 asiste; 4 tituj, 2 Kupa të Italisë dhe 3 Superkupa italiane.
1) ANDREA PIRLO – Mesfushor italian, me vitlindje 1978, lojtari më me vlerë (duke konsideruar rëndësinë në skuadër, pasi Juvja nuk i pagoi asgjë MIlanit) i këtij cikli bardhezi. U transferua në Torino verën e 2011-ës dhe u largua në 2015-ën me destinacion Nju Jork Sitin (sërish me zero). Me bardhezinjtë koleksionoi 164 paraqitje, 19 gola e 38 asiste; 4 tituj, një Kupë të Italisë dhe 2 Superkupa italiane.
Përgatiti: LEDIO NASE