Pas golfit me Guardiolën, Panuçi i bie nga Kina me Totin

Pas golfit me Guardiolën, Panuçi i bie nga Kina me Totin

Kristian Panuçi ka filluar një turne të mirëfilltë rreth botës. Por mos u shqetësoni, nuk bëhet fjalë për një nga ata turnetë e zakonshëm të lodhshëm, për të zbuluar talente kuqezi apo për të kontaktuar ata që nuk e kanë vendosur ende nëse do të veshin fanellën kuqezi.

Ndryshe sa deklaron që nuk e zë gjumi pas humbjeve dhe mendon çdo ditë si t’i rregullojë gjërat që nuk funksionojnë në ekip, Panuçi që nga disfatat me Kosovën dhe Ukrainën ka treguar se nuk po bën atë që thotë dhe se Shqipëria për momentin kalon në planin e dytë në mendjen e tij, pas argëtimit.

Në vend që të bënte një analizë të situatës së kombëtares kuqezi, Panuçi preferoi që ditën pas humbjes me Ukrainën të udhëtonte drejt bregdetit spanjoll, për të takuar Pep Guardiolën aty. Jo për të marrë ndonjë ide se si të përmirësojë lojën sulmuese të Shqipërisë, por për të luajtur në një turne golfi ish-futbollistësh.

Pas përfundimit të tij, Panuçin e priste një tjetër udhëtim, këtë radhë drejt Kinës, ku në shoqërinë e ish-futbollistëve si Batistuta, Del Vekio, Kandela e Toti, do të marrë pjesë në një ndeshje legjendash të Europës kundër atyre të Amerikës Latine.

Më pas, e pret një udhëtim drejt Rusisë, për të ndjekur Botërorin 2018, ku sigurisht nuk merr pjesë asnjë rival i ardhshëm i Shqipërisë në Ligën e Kombeve. Përgatitja më e mirë e mundshme për të zgjidhur telashet e Shqipërisë dhe për t’u përgatitur për sfidat e shtatorit, apo jo?

/lexo.al/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *