Kanë mbetur 8 skuadra në garë për të fituar trofeun, tashmë po kristalizohen edhe emrat që do të tentojnë deri në fund të fitojnë Këpucën e Artë.
Për momentin, më i favorizuari duket të jetë sulmuesi i Anglisë, Harry Kane, autor i 6 golave në këtë Botëror.
Jo vetëm pozicioni i tij në fushë, por mbi të gjitaha forma individuale dhe ajo e skuadrës të bën të mendosh se në fund fituesi i këtij trofeu personal mund të jetë pikërisht sulmuesi i Tottenhamit.
Pasi eliminuan Kolumbinë, “Tre Luanët” kanë përpara Suedinë, një kundërshtare për t’u respektuar, por jo i pakalueshëm. Në ndjekje të Kane janë dy futbollistë njëri prej të cilëve ka marrë rrugën e kthimit për në shtëpi.
Cristiano Ronaldo dhe Romelu Lukaku janë stopuar në kuotën e 4 realizimeve, por portugezi nuk mund të cënojë sulmuesin anglez, pasi luzitanët nuk e kaluan dot fazën e 1/8-ave. Belgjika dhe Lukaku do të kenë një duel të vështirë përpara, pasi çerekfinalja u rezervon sfidën ndaj Brazilit.
Te “Seleçao” golashënuesit më të mirë janë Neymar dhe Coutinho me nga 2 realizime, një shifër shumë larg pritshmërive të fillimit të këtij turneu.
Për të qëndruar tek emrat, që do të tentojnë t’i rrëmbejnë fronin Harry Kane, në kuotën e 3 golave janë disa futbollistë, rusët Cheryshev dhe Dzyuba, francezi Kylian Mbappe dhe uruguaiani Edinson Cavani. Sytë janë pikërisht te sulmuesi i PSG, pasi ka treguar një formë në rritje dhe pritet të jetë “ylli” i këtij Botërori./lexo.al/