Emre Can ka thënë se ëndërr e çdo lojtari është të luajë përkrah Cristiano Ronaldos, kur është pyetur në një konferencë për media nëse Ronaldo do t’i bashkohet atij në Juventus.
Mesfushori Emre Can u prezantua sot si lojtar i Juventusit, dhe gjatë konferencës së tij për shtyp mori vëmendje lajmi më i bujshëm i javës së fundit, transferimi i mundshëm i sulmuesit të Real Madridit, Cristiano Ronaldos, në Juve.
Ronaldo thuhet të ketë arritur marrëveshje me Juventusin dhe transferimi i tij për 100 milionë euro pritet të ndodhë brenda kësaj jave nëse presidenti i Realit, Florentino Perez, s’e ndryshon mendjen.
Can ka thënë se nuk e di çfarë do të bëjë klubi i tij i ri në atë drejtim, para se të ndërhynte një zyrtare e Juves duke insistuar se sot është dita e Can dhe duhet të flitet për Can.
Mesfushori, megjithatë, ka thënë se do të ishte madhështore sikur të transferohej portugezi.
“Çdo lojtar do të donte të luante përkrah Ronaldos, por nuk di se çfarë po bën klubi në atë drejtim. Unë jam i koncentruar vetëm në të ardhmen time por do të ishte diçka e madhe që të transferohej Ronaldo”, tha Can. /lexo.al/