Forcohu dhe tonifikohu me Yoga! (video)

Forcohu dhe tonifikohu me Yoga! (video)

Ata që e praktikojnë, betohen për këtë! Shumë yje të Hollywood-it, Madonna, Jennifer Aniston, Kim Kardashian, madje edhe dukesha Kate Middleton, nuk hoqi dorë deri ditën e fundit para se të lindte dhe vazhdonte stërvitjen e saj të Yoga-s me trajnerin privat.

Mund te duket disi e çuditshme, por ata që mendojnë se gjatë seancave të Yoga-s, njerëzit shtrihen ose ulen mbi një tapet dhe flenë gjumë praktikisht, do të habiteshit shumë kur të marrin vesh, se jo vetëm që është diçka shumë aktive, por kërkon edhe shumë rezistencë! – transmeton Telegrafi.

Çfarë është Yoga?

Yoga në gjuhën sanskrite do të thotë bashkim. Origjinën e ka në Indinë e lashtë dhe tradita të ndryshme të yogas gjenden në Hinduizëm dhe Budizëm. Është një disiplinë, një praktikë e lashtë nëpërmjet të cilës ne mbajmë në ekuilibër mënyrën se si funksionon trupi ynë.

Yoga është një marrëdhënie mes teje dhe hapësirës, mes individit dhe energjisë që na rrethon. Ajo, ruan balancën në strukturën tonë treshe, mendjen-trupin-shpirtin. Ushqen me energji këto të trija. Energji, që më pas përdoret në përditshmërinë tonë. Për njerëzit që e praktikojnë rregullisht, Yoga kthehet në një stil jete, shumë e rëndësishme për të qëndruar gjithnjë në formë, të fortë dhe në harmoni.

Çfarë ndodh me trupin tonë kur bëjmë Yoga dhe ku ndryshon nga disiplinat e tjera?

Nëpërmjet Yoga-s gjejmë qetësinë e humbur, harmoninë, energjinë dhe ndjehemi shumë më mirë. Nuk është vetëm Fitnes por është Spiritual Fitness.

Yoga punon me trupin dhe mendjen, nga brenda dhe jashtë njëkohësisht, ndërkohë që disiplinat e tjera punojnë më shumë për dukjen. Me Yoga-n, para se të ndjesh një trup në formë, ti ndjen një forcë dhe energji të brendshme. Nuk ka rëndësi gjinia, si për burrat edhe për gratë është e njëjta gjë.

Është e vështirë të bësh Yoga?

Nuk është aq e thjeshtë sa mund të duket. Edhe pse pozicionet duken të thjeshta, duhet rezistencë. Megjithatë, nuk është aspak e vështirë nëse e praktikon rregullisht dhe e kthen në një stil jete. Me praktikë çdo gjë bëhet më e kuptueshme dhe më e lehtë. Nuk ka sport që nuk të lodh, por energjia dhe mirëqenia që merr më pas e kapërcen çdo lodhje. Megjithatë, duhet të sqarojmë se ka shumë lloje dhe stile yoga.

Për njerëzit që e praktikojnë rregullisht, Yoga kthehet në një stil jete, shumë e rëndësishme për të qëndruar gjithnjë në formë, të fortë dhe në harmoni.

Disa nga teknikat më të njohura, janë:

Hatha Yoga

Nëse ke moshë rinore, atëherë Hatha është mënyra më e mirë për të nisur eksperiencën e yoga-s. Hatha përqendrohet tek frymëmarrja dhe prezantimi me pozicione të ndryshme, që bëhen me lëvizje të buta. Është një mënyrë fantastike për t’u qetësuar pas një dite të gjatë pune. Benefitet janë heqja e stresit, rregullimi i frymëmarrjes si dhe aktiviteti fizik i moderuar.

Bikram Yoga

Bikram është një ndër stilet më popullore dhe më të zakonshme në klasat e yoga-s. Përgatituni për të lëvizur shumë dhe për t’u djersitur. Hiqni veshjet e rënda dhe merrni dyshekun tuaj”. Gjithashtu rritet temperatura. Ky stil njihet ndryshe dhe si “yoga e nxehtë” (hot yoga) sepse seria prej 26 pozicionesh bëhet në një dhomë me temperaturë 40 gradë celcius (idealja për këtë stil). Ka shumë lagështi, sepse qëllimi është të pastrohemi nga toksinat e të pastrohet trupi.

Kundalini Yoga

Kundalini përqendrohet tek shpina dhe shtylla kurrizore që është ‘chakra’ (chakra = zonë energjie). Besohet se nëse çlirojmë këtë zonë, ne mund të lëshojmë potencialin që gjendet në këtë qendër energjie. Kërkon shumë punë me muskujt e barkut dhe rreth shpinës. Ndoshta dhe më shumë pozicione ulur se të tjerat.

Ashtanga

E quajtur zakonisht “yoga fuqizuese”, Ashtanga kërkon lëvizje të vazhdueshme dhe është fizikisht kërkuese. Ky është një lloj stili, që është mirë të praktikohet nga një burrë ose grua, ish-atletë, që janë mësuar me sporte të shpejta. Nëse kërkoni të definoni trupin tuaj, krahët, gjoksin, ndërkohë që bëni pak kardio dhe të humbisni peshë, atëherë provoni Ashtanga.

Ju mbetet vetëm të zgjidhni stilin që ju përshtatet! /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *