Crvena Zvezda e paralajmëron Shaqirin për ndeshjen në “Marakana”

Crvena Zvezda e paralajmëron Shaqirin për ndeshjen në “Marakana”

Crvena Zvezda beson se kosovari Xherdan Shaqiri do të jetë nën presion të pabesueshëm psikologjik gjatë ballafaqimit të skuadrës së tij, Liverpoolit, me ta në fund të këtij viti në “Marakana”.

Por, klubi serb është zotuar se do ta mbrojë kosovarin e Zvicrës kundër çfarëdo pritjeje armiqësore që mund t’i bëhet gjatë takimit të tyre në gazën e grupeve në Ligën e Kampionëve, transmeton Gazeta Express.

Skuadra e Jurgen Kloppit do të udhëtojë drejt kryeqytetit të Serbisë më 6 nëntor, për ndeshjen e Grupit C kundër Crvena Zvezdes.

Shaqiri i tërboi sërbët pasi e festoi duke e bërë shqiponjën dykrerëshe – simbolin e ngjashëm me atë në flamurin kombëtar shqiptar – golin e vonshëm që ia siguroi fitoren Zvicrës kundër Serbisë në Kupën e Botës gjatë verës në Rusi.

Kjo nënkupton se paraqitja e mundshme e Shaqirit në stadiumin e Zvezdes “Marakana”, është bërë temë e madhe diskutimi në Beograd që prej hedhjes së shortit të Ligës së Kampionëve.

Tani, drejtori i përgjithshëm i Zvezdes, Zvezdan Terzic, e pranon se derisa Shaqiri mund të përballet me një mbrëmje të vështirë, klubi i tij do të sigurohet që cdo gjë të kalojë mirë dhe sigurt.

“Personalisht, s’mund ta imagjinoj se një shqiptar do të luajë për Zvezden”, ka thënë ai për Kurir.

“Mendoj se Shaqiri do të jetë nën presion të pabesueshëm psikologjik sepse do ta dijë se ku vjen, ai e di se Crvena Zvezda [Ylli i Kuq] është simbol i Serbisë dhe nuk e di nëse do të luajë”, shtoi ai.

“Crvena Zvezda duhet të bëjë gjithçka për t’u siguruar se Shaqiri do të ndihet se ka ardhur për të luajtur futboll dhe e kemi obligim ta mbrojmë atë në rast të ndonjë situate të padëshirueshme. Të bëhemi mikpritës të mirë”, theksoi ai. /Gazeta Express/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *