E pabesueshme: Danimarka detyrohet të luajë me lojtarë të futsallit në Ligën e Kombeve

E pabesueshme: Danimarka detyrohet të luajë me lojtarë të futsallit në Ligën e Kombeve

Danimarka është detyruar ta emërojë një skuadër me lojtarë rezervistë, përfshirë lojtarë të futsallit, për ndeshjen miqësore të së mërkurës kundër Sllovakisë dhe ndeshjen ndaj Uellsit në Ligën e Kombeve të dielën, pasi negociatat me lojtarët e rregullt të ekipit të parë për të rënë në ujdi rreth një mos marrëveshjeje për të drejtat e imazhit, kanë ngecur.

Sikur Federata e Futbollit e Danimarkës (DBU) të dështonte ta bënte një skuadër, ekipin kombëtar, i cili renditet i nënti në botë dhe arriti në mesin e 16 më të mirave në Kupën e Botës në Rusi këtë verë, atëherë do të përjashtohej nga Kampionati Evropian i vitit 2020, transmeton Gazeta Express.

Gazeta daneze “Ekstra Bladet” raporton se skuadra e emëruar nga DBU përfshinë lojtarë të ekipit kombëtar të futsallit, një lojë e futbollit të vogël që luhet me pesë lojtarë në njërën anë dhe pesë në tjetrën dhe në fusha kryesisht me dysheme të fortë dhe të mbyllura. Trajneri Aage Hareide nuk do ta drejtojë ekipin në këto dy ndeshje, pasi DBU nuk dëshiron që ai ta udhëheqë një ekip që nuk e ka zgjedhur vetë.

Mosmarrëveshja mes futbollistëve dhe DBU-së ka të bëjë me të drejtat e imazhit të lojtarëve, përfshirë me ato të yllit të Tottenhamit, Christian Eriksen, të cilët kërkojnë kontrata individuale me kompanitë që janë në garë me sponsorët e ekipit kombëtar. Edhe kushtet e udhëtimit të lojtarëve janë ngritur si problem.

Të martën, unioni i lojtarëve bëri një ofertë të dytë për t’i zgjatur kontratat ekzistuese të tyre, gjë që do t’i kishte shtyrë negociatat e mëtejme deri pas zhvillimit të këtyre dy ndeshjeve. /Gazeta Express/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *