Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ua ka ndaluar lojtarëve të tij përdorimin e internetit dhe telefonit në qendrën stërvitore të klubit. Këto dy ndryshime janë vetëm disa nga rregullat që Guardiola i ka sjellë në klubin anglez që nga ardhja e tij në vitin 2016.
Strategu spanjoll e ka bllokuar internetin në qendrën stërvitore të Cityt në mënyrë që ta inkurajojë komunikimin balle përballë mes lojtarëve të tij, duke tentuar kështu ta përmirësojë lidhjen mes tyre, transmeton Gazeta Express.
47-vjeçari është duke i ndryshuar metodat e tij vazhdimisht dhe tani ai e ka futur edhe në rregull të ri në klubin e Manchester Cityn, për shkeljen e së cilës lojtarët do të ndëshkohen me gjoba mjaft të mëdha.
Guardiola e ka ndaluar përdorimin e telefonit në të gjitha hapësirat e qendrës stërvitore të klubit, përfshirë këtu takimet më trajnerit, takimet me stafin e trajnerëve, në fitness dhe në fushat e stërvitjes.
Megjithatë, Guardiola i lejon lojtarët e tij të përdorin telefonat brenda dhomës së zhveshjes, dhe gjobat e reja thuhet se ai i ka futur vetëm sa për t’i mbajtur nën kontroll lojtarët e tij në mënyrë që ata të mos humbin përqendrimin pas fitimit të titullit të Premierligës sezonin e kaluar.
Lojtarët do të gjobiten gjithashtu nëse vonohen për stërvitje. Gjobat janë të caktuara paraprakisht dhe nuk varen nga vitet që ka kaluar një lojtar në klub apo nga paga e tij. /Gazeta Express/