Low: Karriera e Ozilit me Gjermanisë ka marrë fund

Low: Karriera e Ozilit me Gjermanisë ka marrë fund

Edhe pse Mesut Ozili ka lënë të nënkuptohet se ai mund të kthehet përsëri në Kombëtaren e Gjermanisë, trajneri i kësaj Kombëtareje, Joachim Low, nuk e ka të njëjtin mendim. Ai e ka mohuar mundësinë e rikthimit të Ozilit.

Ozili u largua nga Kombëtarja e Gjermanisë pas eliminimit të tyre të hershëm në Kupën e Botës, duke u ankuar se ishte përballur me racizëm dhe se ishte fajësuar padrejtësisht për dështimin e skuadrës së tij në Rusi, transmeton Gazeta Express.

Kritikat kishin ardhur pasi që Ozili dhe bashkëlojtari i tij, Ilkay Gundogan, të cilët kanë lindur në Gjermani por kanë origjinë turke, kishin bërë një fotografi në maj me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Ylli i Arsenalit, Ozili, e kishte fajësuar Grindelin në deklaratën trefaqëshe që e kishte publikuar në Twitter për zyrtarizmin e pensionimit të tij, duke thënë se “në sytë e Grindelit dhe mbështetësve të tij, unë jam gjerman kur fitojmë, por jam emigrant kur humbasim”.

Në këtë deklaratë, Ozili kishte thënë se ai nuk do të luante për Gjermaninë përderisa e kishte këtë ndjenjë se ishte viktimë e racizmit dhe mosrespektit, duke lënë të kuptohet se ai mund të kthehet në Kombëtare nëse brenda Federatës së Futbollit të Gjermanisë bëhen ndryshime.

Megjithatë, sipas trajnerit të Kombëtares së Gjermanisë, Joachim Low, karriera e 29-vjeçarit me Kombëtaren tanimë ka marrë fund.

“Sipas mendimit tim, Mesut Ozili e ka deklaruar qartësisht pensionimin e tij dhe ia ka mbyllur vetes këtë derë, kështu që për kthimin e tij as që mund të diskutohet”, ka thënë Low.

“Mesuti nuk më telefonoi, as deri në këtë moment. Provova ta kontaktoj disa herë gjatë këtyre dy javëve të fundit, përmes mesazheve e thirrjeve. Mesuti ka vendosur ta marrë këtë rrugë. Unë duhet ta pranoj”.

“Ozili ka qenë lojtari im për nëntë vite. Ne kemi përjetuar shumë gjëra së bashkua. Disa gjëra të këqija, por më shumë gjëra të mira. Ne e kemi fituar titullin e Kupës së Botës. Kjo do të qëndrojë me në përgjithmonë”.

“Unë ende mendoj se ai ishte një ndër lojtarët më të mirë që kishim në Gjermani për 20 apo 30 vitet e fundit. Një ditë, do të bisedojmë me të. Do të doja që ai të më kishte lajmëruar personalisht, dhe për këtë gjë u zhgënjeva fillimisht”. /Gazeta Express/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *