Një nga tenistët më me perspektivë në Maqedoni, Besir Durguti, i lindur më 19 Gusht 1993, në intervistën ekskluzive për portalin Bon Zo rrëfen momentet mё tё suksesshme të karrierës së tij si dhe në të njejtën kohë, për sfidat të cilat ja kanë thyer zemrën.
Në të ardhmen ai pretendon që t`i ndihmojë të rinjtë të cilët duan të merren me tenis në mënyrë që të ketë sa më shumë tenistë tjerë shqiptarë të rangut botëror.
1) Tenisi nuk është një sport shumë i zakonshëm në Maqedoni, kur keni filluar të merreni me këtë sport, cili ishte shkaku dhe çfarë synon të arrish?
Me tenis kam filluar të merrem diku rreth moshës 8 vjeçare. Ishte dëshira e babait tim që unë të merrem me tenis, pasi që ai vet si një futbollist në kohën e tij duke i ditur lëndimet e shumta në fudboll, por edhe në sportet tjera grupore, dëshironte që unë të merrem me një sport krejt ndryshe dhe të panjohur për mua në atë kohë. Synoj që çdo ditë të jem një tenist më i mirë se çka jam tani.
2) Sa e vështirë është të jesh tenist në Maqedoni?
Asgjë nuk është e lehtë, pavarësisht nëse je në Maqedoni apo diku tjetër. Nevojitet disciplinë, mirëpo edhe shumë punë dhe pëkushtim 24 orë. Normal si një shtet i vogël që jemi mund të them se është shumë më rëndë të arrihet lart pasi që nuk ka kushte të mira sikurse në vendet tjera të zhvilluara.
3) Cilën cilësi e pëlqen më tepër tek vetja?
Jam tip luftarak i cili nuk dorëzohet lehtë mirëpo në të njejtën kohë jam i disciplinuar dhe i përkushtohem deri në maksimum punës që bëj.
4) Cili ka qenë momenti yt më i lumtur brenda një fushe tenisi?
Ka pas shumë momente të lumtura. Normal çdo fitore më bën të lumtur, por mund të veçojë fitoren e parë që kisha për pikë në ATP listën botërore.
5) Cila është një përballje që të ka “thyer zemrën”?
Gjithashtu kam pasur edhe shumë përballje. Normal mund të them se më së shumti këtu bëjnë pjesë ato lojat e gjata që kam pasur dhe të rënda psiqikisht ku është dashur të dal fitues, mirëpo fatkeqësisht nuk ka ndodhur ashtu siç kam menduar.
6) A po përgatitesh për ndonjë garë për momentin?
Për momentin jam duke bërë përgatitje për garat e ardhshme, mirëpo ende nuk kam vendos se ku do të marr pjesë, ndoshta do të jem në Turqi. Ende nuk është e sigurt asgjë.
7) Ku e sheh veten pas disa vitesh?
Tani per tani e kam në plan të vazhdoj profesionalisht me tenis mirëpo ndoshta kur ta mbaroj karrierën do kisha dashur që t’ju ndihmojë gjeneratave të reja që merren me tenis dhe pse jo të ketë sa më shumë tenistë tjerë shqiptarë të rangut botëror.
8) 6 orë të ditës tënde ja kushton stërvitjes, çfarë bën Besiri 6 orë tjera?
Orët tjera provoj të pushoj sa më mirë, pasi që kam stërvitje me intezitet më të lartë, mirëpo normal kur kam kohë të lirë e shfrytëzoj duke i takuar njerëzit e afërt.
9) Nëse nuk do luaje për reprezentacionin e Maqedonisë, cilin shtet do kishe dëshirë të përfaqësoje?
Unë e prezantoj Maqedoninë si shtet mirëpo nuk marr pjesë në reprezentacionin e Maqedonisë edhe pse kisha ftesë disa herë, por për shkak të garave dhe turneve të ndryshme nuk kam pasur mundësi të marr pjesë. Ende nuk dihet në të ardhmen se cilin reprezentacion do ta përfaqësojë.
10) Sa ke gjetur mbështetje dhe përkrahje financiare nga institucionet shtetërore dhe bizneset lokale?
Mund të them se gjatë gjithë karrierës time kam pasur përkrahje financiare vetëm nga familja ime dhe jam shumë falenderues, ndërsa sa i përket institucioneve shtetërore dhe bizneseve lokale deri tani nuk kam pasur ndonjë përkrahje në zhvillimin e karrierës time.
11) Këshilla yte për gjithë të rinjtë që do donin të merreshin me tenis në Maqedoni?
Pavarësisht a meren si rekreacion apo profesionalisht tenisi është një sport shumë i mirë dhe i pëlqyer, ndërsa për ato që kanë dëshirë të merren profesionalisht, të japin çdoherë maksmumin e tyre dhe asnjëherë të mos dorëzohen.