Fëmija juaj ka vështirësi në të lexuar? Si ta kuptoni nëse vuan nga disleksia

Fëmija juaj ka vështirësi në të lexuar? Si ta kuptoni nëse vuan nga disleksia

A ju ka ndodhur ndonjëherë kur keni qenë fëmijë, që teksa hapnit faqen e një libri shkronjat apo gërmat të vallëzonin? A mbani mend ndonjë episod nga fëmijëria, kur nuk mund të lexonit rrjedhshëm një tekst të dhënë nga mësuesja, dhe shokët e shoqet e klasës iu tallnin dhe iu etiketonin si katranjoz?

Mbase këtë nuk e keni përjetuar që të gjithë. Ama, ata fëmijë që vuajnë nga disleksia janë përballur shpesh me këto eksperienca. Por, çfarë është disleksia?

“Disleksia është një vështirësi në të nxënë, ose më saktë hyn në grupin e vështirësive në të nxënë, lidhet me vështirësinë që ka individi për të lexuar apo për të perceptuar shkronjat. Kryesisht ato shkronja që kanë nga ana vizive karakteristika të përafërta, siç mund të jenë shkronjat e vogla ‘p’ me ‘q’, ose ‘b’ me ‘d’”, shprehen logopedistët.

A ka një moshë se kur mund ta zbulojmë disleksinë?

“Disleksia fillon dhe evidentohet që në momentin e parë kur fëmijët nisin arsimimin, kryesisht në klasë të parë, kur edhe vendosen përballë me shkronjat. Ka fëmijë që kalojnë në klasë të dytë apo të tretë dhe një pjesë të shkronjave të alfabetit nuk i njohin, ose nuk perceptojnë ndryshimet mes njëra-tjetrës. Kjo bën që këta fëmijë të kenë gjithmonë e më shumë rezultate të ulëta në procesin arsimor, e për më tepër të evidentohen si fëmijë problematikë ose shpesh herë edhe si dembelë. Në këtë mënyrë, nga një vështirësi në procesin e të lexuarit, shkojmë në probleme edhe më të mëdha sociale, sepse ata ndahen nga pjesa tjetër e klasës, evidentohen si të zhurmshëm dhe vetëvetiu nuk përthithin të gjithë informacionin që duhet të marrin në vitet shkollore”

“Është një çrregullim që ka bazë neurologjike, por që ka edhe një precedencë goxha të lartë 65% deri në 71% që të jetë edhe e trashëguar nga ana genetike. Ka një probabilitet shumë të lartë që prindërit, të cilët kanë pasur vështirësi në të nxënë apo në proceset e të mësuarit e të lexuarit, të kenë fëmijë që shfaqin probleme me disleksinë”.

“Mësuesit kanë një informacion të cunguar, ashtu siç qarkullon në përgjithësi informacioni. Prindërit të mos e shohin këtë si një sëmundje apo një problem madhor, por ta shohin si një vështirësi në procesin e të nxënit”, shprehen ekspertët. /albeu.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *